
Nëntëmbëdhjetë deputetë të opozitës janë përjashtuar me deri 20 ditë nga seancat plenare dhe punimet e komisioneve parlamentare, shkruan newsbomb.al. Kërkesa është bërë nga deputetët socialistë dhe në mbledhjen e sotme, Sekretariati i Etikës ka vendosur për përjashtimin e tyre.
Më rëndë është ndëshkuar deputeti Ervin Salianji (20 ditë), për të cilin thuhet se gjatë seancës plenare të datës 25 Janar mbante në dorë një pajisje zhurmuese dhe ka pamundësuar vijimin normal të punimeve të Kuvendit.
Ndërkohë, 18 deputetët e tjerë janë ndëshkuar me përjashtim për 10 ditë nga seancat dhe komisionet parlamentar. Në këtë mënyrë, rreth gjysma e deputetëve të opozitës duhet të qëndrojnë jashtë "shtëpisë" së tyre.
“Deputetë të opozitës vendosën pajisje zhurmues në sallë, përkatësisht deputeti Ervin Salianji mbante në dorë një pajisje zhurmuese, gjë e cila nuk lejoi që kryetarja e Kuvendit të mund të vijonte normalisht me rendin e ditës. Edhe pse u kërkoi deputetëve të uleshin dhe të vijonin normalisht zhvillimin e seancës sipas agjendës, ata vijuan të mbanin të bllokuar foltoren”, thuhet në kërkesën e firmosur nga shtatë deputetë të PS-së.
Po ashtu, kolegët socialistë kanë kërkuar ndëshkimin edhe të deputetëve opozitarë që bllokuan punimet e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Vendimi është pranuar nga Sekretariati i Etikës, pasi për dy javë me radhë deputetët e opozitës nuk lejuan mbledhjen e komisionit.
“Skenarët bllokues të veprimtarisë parlamentare nga deputetët e opozitës vijuan edhe në komisionin e reformës zgjedhore të 26.01.2024, ata bllokuan sallën ku do të zhvillohej mbledhja duke mos lejuar deputetët e maxhorancës të uleshin në vendet e tyre. Deputetet Albana Vokshi dhe Lindita Metaliaj zunë vendin e dy bashkëkryetarëve dhe iu drejtuan me tone të larta deputetëve të grupit parlamentar të PS-së. Kjo situatë e krijuar e bllokimit të sallës nga deputetët e opozitës detyroi që mbledhja të mos zhvillohej fizikisht”, vijonte më tej kërkesa.
- Ervin Salianji - Ndëshkohet me 20 ditë përjashtim
Ndëshkohen me 10 ditë përjashtim
- Albana Vokshi
- Sorina Koti
- Elda Hoti
- Lindita Metaliaj
- Isuf Cela
- Tritan Shehu
- Lefter Gështenja
- Helidon Bushati
- Xhelal Mziu
- Edmond Spaho
- Oerd Bylykbashi
- Saimir Korreshi
- Kasëm Mahmutaj
- Ramadan Lika
- Kastriot Piroli
- Qani Xhafa
- Ledovik Hasani
- Luan Baçi.