Hapësire reklamuese

Bota

Estonia instalon pajisje vëzhgimi për sigurimin e kufirit me Rusinë

Shkruar nga Newsbomb
Estonia instalon pajisje vëzhgimi për sigurimin e kufirit me

Veprimet agresive të Rusisë dhe Bjellorusisë në Evropën Lindore kanë shtyrë vendet e tyre fqinje si Estonia që të forcojnë sigurinë kufitare. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze nga kufiri Estoni-Rusi, autoritetet estoneze kanë dislokuar trupa dhe pajisje vëzhgimi për të monitoruar kufirin e tyre lindor.

Vite më parë, zonat kufitare mes Estonisë dhe Rusisë nuk kishin shenja identifikuese. Por, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Estonia vendosi të ndërtonte një infrastrukturë gjithëpërfshirëse kufitare me kamera sigurie dhe pajisje të tjera të sofistikuara.

Paavo Mikson, drejtues i pikës kufitare në Puisa, thotë se relievi në këtë rajon, me kodra, pyje, liqene dhe këneta, e bënë sfiduese punën e tij.

“Sot ne mund të arrijmë në çdo pikë të kufirit tokësor me makinë. Kjo nuk ishte e mundur në të kaluarën. Rojet kufitare nuk ishin të sigurt se ku ishte kufiri”, thotë ai.

Përtej gardhit është territori i Rusisë. Situata këtu tani është e qetë thonë zyrtarët e kufirit. Por, ata theksojnë se duhet të jenë gjithmonë në gatishmëri për provokime të mundshme nga pala ruse.

Javën e kaluar, Estonia përfundoi ndërtimin e një gardhi 40 kilometra të gjatë përgjatë kufirit të saj jugor me Rusinë.

“Ne po ndërtojmë rrugët e patrullimit dhe gardhin. Ne e quajmë atë gardh ngadalësues. Nuk është ndërtuar për të ndalur dikë, por për të penguar një kalim të lehtë të kufirit. Me ndihmën e patrullave ne mund të arrijmë në çdo pikë të kufirit nëse është e nevojshme. Natyrisht ne ende po presim për zgjidhjet teknike. Gardhi do të pajiset me kamera sigurie”, thotë zoti Mikson.

Garantimi i sigurisë në kufirin estonez është sfidues për shkak të afërsisë me një numër qendrash të prodhimit të energjisë elektrike që janë të pambrojtura nga kërcënimet potenciale.

Ministri i brendshëm estonez Lauri Laanemets thotë se Estonia po përballet me sulme hibride.

“Ne kemi sulme hibride, kërcënime me bomba ndaj shkollave, tubacioneve detare, por deri më tani nuk kemi patur incidente kufitare. Situata është më e ndryshme se në Letoni dhe Lituani, të cilat për më shumë se një vit janë ndeshur me incidente kufitare. Por kjo nuk ka ndodhur tek ne”, thotë ai.

Zyrtarët estonezë po marrin masa edhe kundër kalimit të paligjshëm të imigrantëve në territorin e tyre, në përgjigje të një fluksi azilkërkuesish në Finlandën fqinje, e cila ndan një kufi 1300 kilometra të gjatë me Rusinë.

“Ne jemi përballur me këtë situatë për shumë vite. Fqinjët tanë kanë përjetuar sulme me valë imigrantësh. Vala e imigrantëve po vjenë nga Bjellorusia apo për shkak të mbylljes së kufirit finlandez. Situata në kufirin estonez është e qetë, por kjo mund të ndryshojë në çdo moment. Kështu që ne duhet të jemi gati për çdo gjë që mund të ndodhë në të ardhmen, nuk kemi kohë të ndryshojmë taktikat për 1.5 vjet. Ne duhet menjëherë të jemi gati për të mbrojtur sigurinë e gjithë Bashkimit Evropian”, thotë Egent Belitsev, drejtor i përgjithshëm i policisë dhe rojës kufitare.

Autoritetet estoneze afirmuan objektivat e tyre për themelimin e një infrastrukture kufitare, që do të mundësonte monitorim 24 orësh të kufirit dhe reagim të shpejtë ndaj çdo incidenti.

Estonia, e cila ndan një kufi 300 kilometra të gjatë me Rusinë dhe ka gjashtë vendkalime të hapura, është e përgatitur të mbyllë menjëherë kufirin nëse përballet me provokime nga pala ruse./Marre nga VOA/

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese