Eskorta e ambasadores amerikane në OKB u përfshi në një tragjedi gjatë vizitës në Kamerun. Sipas raportimeve, një xhip i blinduar i ambasadores Samantha Power goditi aksidentalisht një djalë në rrugë duke e lënë të vdekur.
Sipas Associated Press, aksidenti ndodhi në afërsi të qytetit të vogël Mokolo që ndodhet në veri të Kamerunit, aty ku Samantha Power, ndihmësit e saj dhe gazetarët shoqërues ishin nisur për t’u takuar me refugjatët e shpërngulur nga sulmet në Afrikën Perëndimore.
Pas marrjes së lajmit, Power tha se ndjehej e pikëlluar dhe se kishte shkuar të takonte familjarët e të riut për t’i shprehur ngushëllimet e për t’i ofruar ndihmë.