
Policia ka dhënë informacion zyrtar lidhur me eshtrat e zbuluara në Fushë Kuqe të Kurbinit.
Blutë bëjnë me dije se “në një parcelë kanë konstatuar mbetje kockore si ato të njeriut”.
Një kafkë njeriu dhe disa kocka u gjetën rastësisht ditën e sotme nga një banor i zonës në disa shkurre pranë fshatit Adriatik. Eshtrat janë dërguar për analiza shkencore, ndërsa prokuroria ka nisur tashmë hetimet.
"Më datë 03.04.2022, rreth orës 13: 30, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Kurbin, se në vendin e quajtur “Fushë Kuqe”, në një parcelë kanë konstatuar mbetje kockore si ato të njeriut.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ndërsa mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme", bën me dije policia.