Tirana
broken clouds
21 ° C
21 °
21 °
52 %
3.6kmh
75 %
Pre
21 °
Sht
15 °
Die
20 °
Hën
25 °
Mar
26 °
E premte, 14 Maj, 2021
spot_img

“Është sjellë si biznesmen”, vettingu i gjen probleme me pasurinë, prokurori i Lushnjes Artan Hazbi këmbëngul: Kam fjetur në zyrë

spot_img

Lajme të ngjashëm

Prokurori i Prokurorisë së Lushnjës, Artan Hazbi u përball të enjten me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK vetëm për kriterin e pasurisë. Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme të shumta si mosdeklarime, fshehje, mungesa të burimeve financiare –një sjellje e krahasuar si një investitor apo biznesmen nga KPK, në kundërshtim me funksionin e gjyqtarit.

Prokurori Hazbi këmbënguli se e kishte kryer detyrën me ndershmëri, se kishte deklaruar me vërtetësi pasuritë që ai dhe bashkëjetuesja e tij zotërojnë dhe se të ardhurat që kanë pasur, kanë qenë të mjaftueshme për krijimin e tyre.

“Kam fjetur në zyrën time”, përsëriti ai disa herë gjatë seancës.

Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për gjyqtarin Hazbi kryesohet nga Brunilda Bekteshi, me relatore Vabona Sanxhaktarin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Artan Hazbi e ka filluar karrierën në vitin 1988 fillimisht si hetues dhe më pas si prokuror në Prokurorinë e Sarandës. Prej vitit 2005, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Lushnjës.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar se prokurori Hazbi ka deklarim të rremë dhe mosdeklarime, por ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurisë së tij.

Komisioni evidentoi disa probleme lidhur me blerjen, shitjen, administrimin dhe investimet në disa troje në Sarandë.

Sipas KPK, subjekti ka përfituar në mënyrë abuzive një truall me sipërfaqe 306 m2 me vendim të Këshillit të Bashkisë Sarandë të vitit 1996, duke e blerë kundrejt vlerës 146 mijë lekë. Trualli rezulton të jetë rivlerësuar në vitin 2011 në shumën 5.1 milionë lekë dhe një herë tjetër në 2017-ën në shumën 3.2 milionë lekë. Megjithëse Hazbi ka pretenduar se nuk i kujtohet rivlerësimi i vitit 2011 dhe se vlera e kësaj pasurie është e përafërt me rivlerësimin e 2017-ës, Komisioni konstaton se subjekti nuk e ka deklaruar këtë pronë me qëllim fshehjen e vlerës reale.

Sanxhaktari tha se subjekti duket se ka kryer veprime me qëllim fshehjen e të vërtetës, me anë të dy marrëveshjeve për investime të kryera për një truall tjetër në Sarandë me sipërfaqe 608 m2, që e ka përfituar për vlerën 291 mijë lekë, po me vendim të Këshillit të Bashkisë Sarandë në vitin 1999.

Në vitin 2011, kjo pasuri është rivlerësuar në shumën 11.8 milionë lekë. Relatorja vijoi se kjo pasuri është përfituar në kundërshtim me detyrën e prokurorit.

Në vitin 2010 ai ka nënshkruar marrëveshje me investitoren V.H., e cila aktualisht është bashkëjetuesja dhe nëna e vajzës së tij dhe ka siguruar leje për ndërtimin e një shtëpie dhe garazhi. Pas heqjes dorë të investitores V.H., Hazbi ka nënshkruar marrëveshje me një shoqëri ndërtuese në vitin 2011, e cila pasi ka kryer punime për sheshin e ndërtimit, është tërhequr për mungesë të fondeve.

Sanxhaktari evidentoi se edhe pse subjekti pretendon se ka nisur të bashkëjetojë me shtetasen V.H në vitin 2014, ata kanë sjellë në jetë fëmijën e tyre në vitin 2009.

Prokurori Hazbi ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 328 mijë lekë për blerjen e një apartamenti 77 m2 në Sarandë në vitin 2007 për shumën 1.8 milionë lekë. Kjo pasuri është rivlerësuar në shumën 65 mijë euro dhe është shkëmbyer prej prokuorit Hazbi në vitin 2017 me një truall me sipërfaqe 403 m2 dhe karabinanë e një objekti të ndërtuar aty me sipërfaqe ndërtimore 156 m2, të destinuar për hotel në Ksamil, e rivlerësuar 8 milionë lekë.

Në vitin 2018, subjekti ka aplikuar për leje ndërtimi dhe ka marrë një kredi në shumën 16 milionë lekë duke nisur punimet. Si burim tjetër për investimin e kryer, ai ka deklaruar edhe vlerën e përfituar nga bashkëjetuesja prej shitjes së një apartamenti në qytetin e Lushnjës që ajo e kishte blerë në vitin 2013.

Hasbi tha në seancë se me ish-pronarin e truallit dhe ndërtesës ka pasur miqësi dhe se ata jetonin në Greqi. Sipas tij, T.X. i kishte thënë se donte ta shiste këtë pronë dhe të blinte një apartament në Sarandë për ta pasur kur të vinte me pushime në Shqipëri. Subjekti deklaroi se në bisedë e sipër i kishte ofruar në këmbim apartamentin që ai zotëronte në Sarandë dhe janë dakordësuar.

Sipas KPK, kostot për investimin e kryer nga prokurori Hasbi në këtë pasuri janë rreth 18.5 milonë lekë, të përafërta me vlerën e deklaruar prej tij. Sanxhaktari evidentoi se kjo pronë është krijuar pas plotësimit të deklaratës veting dhe se nuk provohen të gjitha të ardhurat e pretenduara prej subjektit se kanë shërbyer për investimin e kryer.

“Shkëmbimi është i dyshimtë. Duket se subjekti i rivlerësimit ka vepruar si investitor dhe si  biznesmen, në kundërshtim me detyrën e tij,” theksoi Sanxhaktari.

Prokurori Hazbi ka privatizuar një apartament 1+1 me sipërfaqe 55 m2 dhe truall 150 m2 në Sarandë në vitin 1995, kundrejt shumës 72 mijë lekë. Relatorja tha se subjekti e ka shitur këtë banesë në vitin 1999 për shumën 1.8 milionë lekë dhe ka rezultuar përsëri me statusin si i pastrehë.

Sanxhaktari evidentoi se Enti i Banesave nuk mund të shiste troje dhe theksoi se subjektit i ka kaluar barra e provës të vërtetonte pronësinë e truallit 150 m2 që ka shitur së bashku me apartamentin.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar blerjen e një trualli tjetër në Sarandë në vitin 2002 në shumën 277 mijë lekë, që e ka shitur tre ditë më vonë për 400 mijë lekë.

Komisioni ngre dyshime se prokurori Hazbi ka fshehur në emër të vëllait të ndjerë një apartament me sipërfaqe 94.5 m2 në Tiranë. Nga hetimi ka rezultuar se vëllai ka nënshkruar një prokurorë të posaçme për subjektin në vitin 2008, që ai kryente të gjithë veprimet. Po atë ditë, subjekti ka nënshkruar kontratën e porosisë. Rezulton se Hazbi e ka deklaruar si adresë banimi në vitin 2011 këtë pasuri.

“Është e dyshimtë se përse vëllai ka nënshkrur autorizimin në Lushnjë në të njëjtën ditë që është lidhur kontrata e porosisë dhe nuk ka ardhur vetë në Tiranë që ta kryejë këtë veprim,” tha Sanxhaktari dhe shtoi se shitësja e kishte blerë këtë banesë vetëm pesë ditë më parë.

Prokurori Hazbi deklaroi se apartamenti ishte blerë prej vëllait të tij nga të ardhurat e siguruara nga puna në Greqi, me qëllim që kur të shkonin fëmijët në shkollë në Tiranë, të kishin strehim. Ai pretendoi se aty kishte jetuar djali i vëllait për periudhën 2010-2014 dhe se tani jetonte ai për shkak të probleme ligjore që kishte mes shitëses dhe shoqërisë ndërtuese. Hazbi theksoi se do të qëndronte aty derisa apartamenti të kalonte në pronësi të vëllait dhe nëse dështonte, atëherë do t’u kalonte nipit dhe mbesës shtëpinë e tij dhe ullishten në Konispol.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në llogarinë e prokurorit Hazbi është depozituar nga administratori i një një shoqërie një shumë 860 mijë lekë në vitin 2006, që subjekti e ka rikthyer në vitin 2007. Sanxhaktari pohoi se subjekti e ka fshehur këtë transaksion, pasi nuk e ka deklaruar edhe pse e ka disponuar si depozitë.

Relatorja Sanxhaktari tha se prokurori Hazbi kishte kryer deklarim të pasaktë për sipërfaqen e tokës së përfituar nga ligji “Për tokën” dhe se nuk kishte qartësuar investimin në shtëpinë e trashëguar nga prindërit në Konsipol.

Gjithashtu, u evdidentua se ai kishte përfituar subvencione për të krijuar një ullishte në fshatin e lindjes në kundërshtim me Kushtetutën dhe detyrën e prokurorit dhe se e kishte fshehur këtë veprimtari, pasi nuk e kishte deklaruar. Sanxhaktari solli në vëmendje se subvencionimet në bujqësi nuk mund të përfitohen nga zyrtarët publikë.

Ai është gjetur në kushtet e konfliktit të interesit edhe me krijimin e një ferme blegtorale nga bashkëjetuesja në vitin 2014 në Sarandë. Ajo ka blerë 25 lopë për shumën 400 mijë lekë dhe ka marrë me qira nga Bashkia Sarandë kullotë me sipërfaqe 35 mijë m2.

Sanxhaktari solli në vëmendje ndryshimet ligjore të vitit 2014 për konfiktin e interesit dhe tha se për shkak të aktivitetit të bashkëjetueses, prokurori Hazbi është gjendur në shkelje të ligjit.

Prokurori Hazbi kërkoi në fillim të seancës që të mos mos lejoheshin publiku dhe përfaqësuesit e medias, duke pretenduar se në raport kishte të dhëna kofidenciale dhe se vajza e tij e mitur do ta përjetonte keq emocionalisht nëse do lexonte artikujt në portale. Në disa raste gjatë seancës dëgjimore, prokurori Hazbi foli me emocionalitet dhe u përlot kur fliste për bashkëjetuesen, fëmijët e mitur, të vëllanë dhe familjarët.

Pasi u tërhoq, Komisioni e rrëzoi këtë kërkesë duke vlerësuar se të dhënat që trajtohen në raportin e hetimit administrativ janë deklaruar më parë prej Hazbit në ILDKPKI dhe se ligji për vetingun përcakton që seanca të jetë publike dhe transparente.

Komisioni rrëzoi edhe një kërkesë të dytë të Hazbit për shtyrjen e seancës dëgjimore deri në përfundimin e një hetimi penal nga Prokuroria e Beratit, lidhur me një kallëzim që kishin kryer ndaj personi që kishte depozituar 1.5 milionë lekë në llogarinë bankare të bashkëjetueses, që  sipas subjektit, transferta ishte kryer pa dijeninë e tyre.

Nga analiza financiare për periudhën 2002-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën totale 5.7 milionë lekë për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve.

Hazbi kërkoi që të përfshiheshin në analizën financiare të ardhurat e deklaruara prej tij dhe bashkëjetueses për krijimin e pasurive. Ai pretendoi se kishte përfituar 20 milionë lekë nga paga e tij se hetues dhe prokuror dhe se kishte krijuar të ardhura të tjera nga ullishtja. Gjithashtu, kërkoi të përfshiheshin në analizën financiare edhe një dhurim në vlerën 2.6 milionë që i ishte bërë bashkëjetueses nga i ati, i cili e kishte fituar këtë shumë si i persekutuar.

Ai theksoi në fjalën e tij se nuk bënte pjesë tek “delet e zeza”. “Jam nga prokurorët që kam punuar me drejtësi. Gjysmën e kohës kam fjetur në zyrë. Edhe në vitin 1997, kur turmat donin të digjnin zyrat, kemi mbrojtur dosjet dhe ambjentet e Prokuorisë së Sarandës,” tha Hazbi në seancë.

Në përfundim ai kërkoi riçeljn e hetimit për dy kriteret e tjera dhe konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca tjetër do të zhvillohet më datë 26 prill, ora 12:00. /Birn

spot_img

Më shumë

spot_img
spot_img