5 persona ranë në prangat e Forcave Operacionale gjatë një operacioni që u bë dy ditë më parë në zonën e Liqenit të Thatë, pasi dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në vila luksoze në periferi të Tiranës.
Një prej tyre, tashmë i arrestuar është “zbërthyer” në Prokurori për mënyrën sesi i gjenin vilat dhe si i ndanin paratë me njëri-tjetrin. Dajvid Dosti u ka treguar prokurorëve se ishte Hektor Qirjazi ai që i kishte treguar për vilën që grabitën ditën e operacionit.
"Për vjedhjen e vilës te TEG-u më ftoi Hektor Qirjazi. U njohëm në Skrapar, më kontaktoi në rrjetet sociale dhe më ftoi për vjedhjen. Qirjazi më tregoi në Google Map vilën ku do të vidhja, do ndanim lekët. Pranë vilës më çuan 2 shokë të Dorjan Qirjazit me makinë, ai nuk erdhi me ne. Kalova murin dhe hyra në vilë, dera ishte hapur, gjeta kasafortën. Hapa kasafortën me forcë dhe mora disa bizhuteri dhe 16.250 euro. Në vilë qëndrova rreth 1 orë, komunikonim me radio si të policisë”, ka rrëfyer Dosti në Prokurori.
Mësohet se rolin kryesor në grupin e grabitësve të vilave luksoze e kishte Hektor Qirjazi (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani), ndërsa të tjerët në bashkëpunim me njëri-tjetrin hynin brenda vilave. 5 të arrestuarit si pjesë e këtij grupi janë: Hektor Qirjazi (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj dhe Dajvid Dosti.
“Më datë 12.04.2021, rreth orës 10.00 e ka marrë në telefon ne rrjetin social “Messenger” shtetasi Dorjan Qirjazi, i cili i ka thënë “që duhej të takoheshim”, rreth orës 10.30 janë takuar te një lokal në zonën e Astirit, i cili ishte vetëm. Gjatë kësaj kohe ai i tha që “ishte një punë dhe nëse unë e bëja dot ose jo”, ai më tha se “ishte një shtëpi te Tegu dhe se do ta vjedhim”, unë i thashë se “do e bëjë”, ai më tha “ok”, ka rrëfyer Dosti.
Sipas 21 vjeçarit, në kafe Hektor Qirjazi i ka treguar përmes aplikacionit Google Maps se në cilin vend ishte vila që do grabisnin. Hektor Qirjazi i ka thënë të riu se “në këtë banesë nuk kishte njeri dhe se personat që banonin në këtë banesë ishin në punë”, si dhe “ik se nuk do dalësh bosh atje”.
Përditësim - 12.20: Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për 5 të arrestuarit Hektor Qirjazi (i njohur edhe me emrin Dorjan Lamani), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj dhe Dajvid Dosti.