Hapësire reklamuese

Politikë

Escobar thirrje drejtësisë shqiptare: Shikoni shpalljen non-grata të Sali Berishës, për përfshirjen në korrupsion

Shkruar nga Newsbomb
Escobar thirrje drejtësisë shqiptare: Shikoni shpalljen non-grata
Zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Gabriel Escobar, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë shqiptare që të marrin në konsideratë shpalljen non-grata të Sali Berishës nga DASH, lidhur me akuzat për korrupsion. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar është shprehur se pavarësisht se Berisha ka marrë drejtimin e PD, ata vazhdojnë bashkëpunimin me këtë forcë politike sepse kanë "partnerë të mirë". Po ashtu, zv.ndihmës sekretari amerikan u ka bërë thirrje dhe simpatizantëve të kësaj force politike, të shikojnë se cilën figurë po mbështesin. Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për statusin e demokracisë në Shqipëri. Opozita, është në një gjendje të çorganizuar që pas shpalljes non-grata të ish Presidentit Sali Berisha. Vendimi e rigjallëroi atë, ai drejton sot partinë, ose të paktën shumicën e partisë. Mund të argumentohet se vendimi ndaj tij, në një farë mënyre pati efektin e kundërt, veçanërisht po të kihet parasysh se nuk u shoqërua me ngritje akuzash nga organet e drejtësisë. Si e ndihmojnë vendime të tilla betejën kundër korrupsionit në Shqipëri? Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion.

Raportimi i plotë i Zërit të Amerikës:

Në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë Shqiptare. Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, bisedoi pak para fillimit të takimit me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, cilat janë çështjet kryesore që do të diskutohen në dialogun e sotëm strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja gjithshka që ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe. Ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik. Në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona. Zëri i Amerikës: Një nga sektorët në të cilët Shtetet e Bashkuara kanë qënë shumë të angazhuara në Shqipëri, është ai i energjitikës. Cilat janë pritshmëritë për këtë sektor? Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shqipëria po kthehet në një qëndër të rëndësishme energjitike. Tani që Evropa po ndeshet me sfida në sektorin energjitik, ne duam të gjejmë rrugë bashkëpunimi me Shqipërinë për të ndihmuar në zbutjen e këtyre problemeve. Kemi bindjen se mund të gjejmë forma dhe rrugë ku Amerika mund të ndihmojë për të investuar në infrastrukturën energjitike në Shqipëri për të realizuar këtë synim. Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara e mbështetën Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të Iranit ndaj infrastrukturës së saj dhe ofruan ta ndihmojë atë. Për çfarë ndihme konkrete bëhet fjalë? Gab Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve të sotme dhe shpresoj, që deri në fund të ditës, të kemi një marrëveshje për llojin e ndihmës që do japim; unë pres që ndihma të jetë si teknike edhe financiare, për të mbështetur sektorin e sigurisë kibernetike në Shqipëri. Zëri i Amerikës: Ju thatë që takimi i sotëm do të përfshijë një gamë të gjerë çështjesh. Siç e dimë Shqipëria është një vend i pllakosur nga korrupsioni dhe kohët e fundit qeveria ka bërë të ditur një nismë për një amnisti të gjerë fiskale, deri në 2 milionë dollarë. Ka patur shqetësime nga FMN-ja, Banka Botërore, apo Bashkimi Evropian, se kjo mund të përdoret për pastrim parash. A ndajnë edhe Shtetet e Bashkuara të njejtat shqetësime? Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtasë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standartet globale dhe me kërkesat e BE-së. Zëri i Amerikës: A keni ndonjë qëndrim më të qartë, nëse kjo nismë duhet zbatuar, apo braktisur? Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat. Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka patur kundërshtime dhe kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si arkitektë të reformës në drejtësi, veçanërisht nga opozita, duke i kritikuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Por kohët e fundit kemi parë edhe një element të ri, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një fjalim të ditëve të fundit tha, ndonëse nuk e përmendi me emër, por kuptohej, që e kishte fjalën për ambasadoren amerikane, ku u shpreh se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”. Cili është reagimi juaj? Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve. Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për statusin e demokracisë në Shqipëri. Opozita, është në një gjendje të çorganizuar që pas shpalljes non-grata të ish Presidentit Sali Berisha. Vendimi e rigjallëroi atë, ai drejton sot partinë, ose të paktën shumicën e partisë. Mund të argumentohet se vendimi ndaj tij, në një farë mënyre pati efektin e kundërt, veçanërisht po të kihet parasysh se nuk u shoqërua me ngritje akuzash nga organet e drejtësisë. Si e ndihmojnë vendime të tilla betejën kundër korrupsionit në Shqipëri? Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion. Zëri i Amerikës: Dëshironi të shtoni diçka tjetër për Shqipërinë. Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Doja të falenderoja qeverinë e Shqipërisë për partneritetin dhe popullin e Shqipërisë për miqësinë e tyre. Takimi i sotëm një ditor është një simbol jo vetëm i bashkëpunimit mes qeverive, por edhe i miqësisë së thellë mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu