Deputeti demokrat Ervin Salianji, ka denoncuar sot një prej gradaçelave që është ndërtuar muajt e fundit në qendër të Tiranës, pranë disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Bëhet fjalë për pallatin 40 katësh, objektin e quajtur "Eyes of Tirana".
Salianji akuzoi Qeverinë se ka mbyllur gojën ndaj ndërtimit pa leje që po bëhet në mes të Tiranës, përballë zyrave të vetë Partisë Socialiste. Madje, deputeti tha se kryeministri Edi Rama ka firmosur projektin me 26 kate, por "çuditërisht" gradaçela ka shkuar në 40 kate.
"Sot, ndërtime si ky duhet të ishin me miliarda lekë gjobë, apo miliona euro siç parashikohet. Nga ana tjetër, ndërtime si ky dhe ndërtuesi i këtij, duhet të ishte para përgjegjësisë penale dhe të përballej me burgun. Qeveria e ka mbyllur gojën se nuk ka çfarë thotë", u shpreh ai ndër të tjera.
Kulla Eyes of Tirana, me kate pa leje
Pjesë nga deklarata e Ervin Salianjit:
Urdhëroni, shikojeni pak, përballë institucioneve më të rëndësishme, këtu është selia e PS ku kryeministri dhe ministrat kalojnë. Këtu kalojnë të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit, po ahstu dhe Bashkia. Kjo është leja e miratuar nga Edi Rama, nga KKT, 26 kate. Tani, secili prej jush e shikoni që ky ndërtim ka shkuar edhe me sy të lirë numërohen katet, shikojeni që ka shkuar 40 kate.
Qytetarët ë pamundur përfundojnë në burg. A ka mundësi që ky ndërtim në mes të Tiranës, një gradaçel që tregon pangopshmërinë jo vetëm të pushtetit, po dhe të këtyre që marrin leje ndërtimi duke shkatërruar qytetin, të bëhet pa bekimin e Qeverisë?! A e ka çuar në Prokurori IKMT dhe Policia këtë ndërtim?
Sot, ndërtime si ky duhet të ishin me miliarda lekë gjobë, apo miliona euro siç parashikohet. Nga ana tjetër, ndërtime si ky dhe ndërtuesi i këtij, duhet të ishte para përgjegjësisë penale dhe të përballej me burgun. Qeveria e ka mbyllur gojën se nuk ka çfarë thotë.