Tirana
few clouds
23 ° C
23 °
23 °
40 %
4.1kmh
20 %
Pre
23 °
Sht
16 °
Die
20 °
Hën
25 °
Mar
23 °
E premte, 14 Maj, 2021
spot_img

Erisa Xhixho “thyen” heshtjen: Për mua, këto ishin zgjedhjet më të vështira në 15 vite. Prindërit e të rinjve të LSI u hoqën nga puna, u shantazhuan…

spot_img

Lajme të ngjashëm

Erisa Xhixho do të jetë deputete në parlamentin e ardhshëm të Republikës së Shqipërisë, pasi mori mandatin si e listuar e dyta në qarkun e Tiranës.

Përmes një shënimi në rrjete sociale, Xhixho falenderon çdo qytetar që e ka mbështetur dhe frymëzuar në punën e saj, çdo person që ka qenë pjesë e LSI dhe ka bërë çmos e ka besuar në këtë parti.

Ajo thotë se në këto 15 vite këto zgjedhje kanë qenë me të vështirat për të, teksa përmend blerjen e votave, shantazhin apo persekutimin.

“Hakmarrja nuk mungoi, pasi prindërit e të rinjve të angazhuar në LSI u persekutuan, u hoqën nga puna, siç ndodhi me atë prind që e pagoi me papunësi vetëm për një përqafim të fëmijës së tij në një takim elektoral”, shkruan Xhixho në Facebook.

Shënimi i plotë

Faleminderit nga zemra për çdo qytetar që më ka hapur derën, që me energji dhe forcën e karakterit ishte pjesë e fushatës së LSI-së, që votoi LSI-në, të cilat për mua janë e do mbeten vota zemre e guximi.

Mirënjohje për secilin nga të rinjtë, vajzat e djemtë e LRI-së, që vendosën t’i përkasin një force politike ku ata janë protagonistë, frymëzues dhe drejtues të saj.

Që sollën në këtë fushatë ide, profesionalizëm dhe një qasje europiane e qytetare e të bërit politikë, duke respektuar dinjitetin e qytetarëve dhe jo përdhosur atë. E di, kjo është një rrugë e vështirë, por e drejtë.

Faleminderit strukturave të LSI-së të njësisë nr. 1 dhe 2, me të cilat unë pata nderin të punoj, e që për mua nuk janë thjesht anëtare partie,  por janë miqtë e mi, heronjtë e mi sot e gjithë jetën time. Ata janë forca ime e frymëzimi im.

E di, u kërcënuat, u shantazhuat, tentuan t’ju blejnë e t’ju diskreditojnë me lloj-lloj formash, por ju rezistuat e luftuat deri në fund me dinjitet, sepse  besojmë te politika e vlerave dhe te misioni ynë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve.

Këto zgjedhje ishin nga më të vështirat e 15 viteve të angazhimit tim politik, u përballëm me presionin e shtetit, me banda, me blerjen e votës, të dinjitetit e varfërisë së zgjedhësve, me frikën e qytetarëve për të bërë një foto në biznesin e tyre apo me shfaqjen në krahun tonë, pasi i trembeshin hakmarrjes së partisë-shtet.

Hakmarrja nuk mungoi, pasi prindërit e të rinjve të angazhuar në LSI u persekutuan, u hoqën nga puna, siç ndodhi me atë prind që e pagoi me papunësi vetëm për një përqafim të fëmijës së tij në një takim elektoral.

Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë, ndaj jemi më të bindur se kurrë në vazhdimin e betejës sonë.

Unë nuk do ndalem, do më keni gjithmonë në krah, me zemër e shpirt për çdo shqetësim tuajin, gjithmonë e gatshme dhe e vendosur për t’ju përfaqësuar, pjesë e asaj politike që kujdeset e mban fjalën.

Beteja jonë do të vazhdojë çdo ditë, pasi procesi nuk ka përfunduar ende, si asnjëherë më parë 5% e fletëve të votimit kanë dalë të pavlefshme, plot 83028 fletë. Ne nuk do ndalojmë deri në numërimin dhe rinumërimin e çdo vote të vlefshme, në respekt të vullnetit të çdo votuesi. Qytetarët shqiptarë meritojnë që procesi të mbyllet me transparencë dhe në bazë të ligjit deri në fund, sepse besimi i tyre te fuqia e votës jo vetëm s’duhet cenuar, por është me rëndësi për demokracinë në vendin tonë.

Misioni vazhdon….

spot_img

Më shumë

spot_img
spot_img