Deputeti socialist Erion Braçe, ka folur pak më parë në panelin për bujqësinë që po mbahet në sheshin "Nënë Tereza" këtë të shtunë. Ai ka folur për nevojën jetike, siç e quajti Braçe, të fshatit dhe produkteve vendase. I ulur mes bujqve, deputeti i PS tha se tregu i importit është përqëndruar në pak duar.
"Rinisja pas pandemisë dhe nevoja për burime, dhe kjo lufta tani me pasoja në kufizimin e tregtisë, duhet të na kishte bërë të vetëdijshëm për nevojën jetike të fshatit. Fshatarët, ta themi troç, se është përdorur për 30 vite me konotacion negativ. Nuk është turp të jesh nga fshati dhe ta duash fshatin.
Ne kemi pak afrimitet me importin. Madje kemi pak afrimitet klientelist me importin. Kemi dhe një hallë më të madh, përqëndrimin e tregut. 4 veta e sjellin sot vajin, 3 veta sheqerin, e ashtu të gjithë. Nuk është e vërtetë ajo që themi ne se në treg ka konkurrencë.
Një pjesë e madhe e tyre kanë abuzuar barbarisht këtë vit dhe vitin që shkoi. Të dhënat që unë disponoj, tregojnë se kanë (produktet) shitur 50% më shtrenjtë", u shpreh ndër të tjera deputeti socialist Erion Braçe, teksa lexoi dhe letrën e një bujku nga Laçi.