
Ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Gjykatës së Posaçme dhe kërkon që të dalë nga qelia. Në shkurt 2022, Hoxha u dënuar me tre vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 2 vite.
Me kërkesën e sotme, ish-gjyqtarja e Krujës pretendon se me qëndrimin në paraburgim, sipas llogarive, ajo e ka shlyer afatin e qëndrimit në burg, ndaj togat e zeza duhet ta lirojnë. Seanca për Enkelejda Hoxhën do të mbahet sot në ambientet e GJKKO.
Kërkesa do shqyrtohet nga gjyqtaret Miliana Muça, Igerta Hysi dhe Saida Dollani. Treshja e posaçme do të verifikojë ditët e qëndrimit në paraburgim të Hoxhës, dhe nëse ato i kalojnë ditët që duhet të qëndrojë në burg, atëherë Enkelejda Hoxha duhet të lirohet nga qelia.
Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit. Ajo u arrestua nga SPAK në shkurt 2021 pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po përgatitej lirimi i një të dënuari.