Grupi Parlamentar i PD, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ka prezantuar dy emrat për postin e Avokatit të Popullit. Ledio Braho dhe Dorian Gjomarkaj, kanë qenë kandidatët për të cilët deputetët demokratë kanë diskutuar dhe vetëm njëri prej tyre do të kalojë në votim.
Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Enkelejd Alibeaj tha se pas konsultimeve dhe disa raundeve votimesh e analizash mes vetë deputetëve, është vendosur unanimisht që juristi Ledio Braho të jetë më i preferuari për Avokat të Popullit.
"Grupi i PD arriti në mënyrë unanime që të fokusohet në dy emra: Ledio Braho dhe Dorian Gjomarkaj. Në grupin e PD zhvilluam disa raunde analize dhe votimi. Në përfundim të këtij mekanizmi ju deklaroj se preferenca e grupit të PD është zoti Ledio Braho", u shpreh Alibeaj.
Ledio Braho, i propozuar nga Grupi Alibeaj per Avokat te Popullit
Drejtimi i institucionit të Avokatit të Popullit i është lënë ekskluzivisht opozitës si një marrëveshje e pa shkruar politike. Mazhoranca ka pranuar publikisht se zgjedhja do t’i lihet në dorë opozitës, por varet cilin nga grupimet brenda të djathtëve do të njohin si të tillë.
Aktualisht Avokati i Popullit drejtohet nga Erinda Ballanca, të cilës i ka mbaruar mandati muaj më parë. Megjithatë, ajo ka dorëzuar aplikim në Kuvend, duke kërkuar që ta drejtojë këtë institucion edhe për një tjetër mandat 5 vjeçar.