Grupi Parlamentar i PD do të mblidhet pasditen e sotme, në orën 14.00, për të diskutuar për draftin me kriteret për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Takimi do të drejtohet nga kryetari Enkelejd Alibeaj.
Gazetari Osman Stafa, raporton se tashmë demokratët kanë dy emra që mund t’i propozojnë për kreun e ri të shtetit. Ata janë Visar Zhiti, ish-ministër i Kulturës në qeverinë Berisha në vitin 2013, dhe politikani e arkeologu Neritan Ceka.
Mbetet për t’u parë nëse demokratët do të arrijnë dakordësinë për këta dy emra, apo gjatë diskutimeve do të dalin dhe emra të tjerë. Komisioni i rithemelimit nga ana tjetër e kundërshton këtë proces dhe nuk e njeh Alibeajn.
PD është e përçarë në 3 grupe, pasi përveç deputetëve që mbështesin Alibeajn dhe atyre që mbështesin Berishën, janë edhe një grup tjetër asnjëanës, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por as në mbledhjen e Grupit Parlamentar.