Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit konfirmon si të vërtetë takimin e sekretarit të kryeministrit Edi Rama me biznesmenin italian Francesco Becchetti në vitin 2014, kur përplasja mes palëve ishte në pikën më të nxehtë.
Në atë kohë, Engjëll Agaçi u takua me Becchettin në një restorant në Tiranë. Biznesmeni italian e pyeti se përse qeveria shqiptare kishte nisur hetimet kompanive të tij, për pastrim parash, ndërsa Agaçi i dha një përgjigje të shkurtër: “nuk është mirë t’i bësh opozitën qeverisë”.
Gjykata ndërkombëtare këtë dialog e ka njohur si provë, dhe është një ndër provat që i dhanë fitoren Becchetit ndaj shtetit shqiptar, që tashmë është i detyruar t’i paguajë 110 milion euro.
Biseda mes Agaçit dhe Bechettit në 2014:
Francesco Beccetti: Përse qeveria ka nisur hetime për pastrim parash ndaj kompanive të mia?
Engjëll Agaçi: Duhet të flasësh me Enkelejd Jotin, drejtorin e përgjithshëm të Top Channel.
Francesco Becchetti: Përse duhet të flas me z. Joti, i cili nuk është një zyrtar publik, por drejtori i përgjithshëm i një televizioni privat?
Engjëll Agaçi: Nuk është ide e mirë t’i bësh opozitë shtetit.
Ndërsa vendimi i gjykatës thotë: “Që në fillim të hetimeve për pastrim parash, një përfaqësues i qeverisë i tha zotit Beçhetti në mënyrë eksplicite se duhet të fliste me një nga konkurrentët e tij, nëse dëshironte të kuptonte se pse investimet e tij ishin nën hetim, dhe që nuk ishte një ide e mirë t’i bënte opozitë shtetit”.