Hapësire reklamuese

Social Bomb

Ëndrra jonë me... koronavirusin

Shkruar nga Newsbomb

Nga Lutfi Dervishi

 

Kur shkojmë në plazh mendojmë se virusi është në Tiranë. Kur kthehemi në Tiranë mendojmë që virusi ka ikur në plazh.

Kur ulemi për kafe në lokal, mendojmë që virusi është diku rrotull, por jo në tavolinën tonë!

Kur duke gjerbur kafenë shohim/dëgjojmë buletinin e përditshëm me të infektuar dhe viktima - lajmi duket sikur vjen nga Honolulu dhe jo nga 4 km larg vendit ku pimë kafenë!

Kur i japim dorën dikujt mendojmë se ai/ajo sapo ka larë duart, ashtu si ti, dhe nuk ka shans që të ketë virusin.

Në restorantet e mbyllura qetësohemi kur shohim tabelat dhe dezinfektatët. Madje duken “aksesorë” të tepërt.

Guvernatori Lombardisë bën thirrje për mbyllje të fluturimeve nga Shqipëria se numri më i madh i të infektuarve po vjen nga Tirana, por ne mendojmë se ata që u nisën nga Tirana duhet të jenë italianë apo sirianë që i ka rënë rruga këtej.

Në pritje të valës së dytë, kemi harruar se jemi ende brenda dallgës së valës së parë!

Ndryshe nga zjarri dhe uji - që i ndjejmë menjëherë virusin nuk e shohim, nuk e ndjejmë ndaj dhe më shumë lajme gjen për mos ekzistencën e tij se sa për njerëzit që po ndërrojnë jetë çdo ditë, pavarësisht moshës, fesë, apo statusit shoqëror.

Nga mbyllja ekstreme kaluam në shkujdesje ekstreme! Më mirë të vdesin ca njerëz se të vdesë ekonomia- kjo është shprehja cinike, POR kur vjen te vdekja i referohemi “ca njerëzve”- jo vetes, jo njerëzve tanë, jo të njohurve tanë, por “ca njerëz”...

Virusi është rrotull nesh- për të na kujtuar se nuk largohet pa ndryshuar sjellje. Nuk mjafton vetëm maska në fytyrë, nuk mjafton vetëm distanca, nuk mjafton vetëm larja e duarve...nëse nuk kuptojmë se gjërat kanë ndryshuar dhe nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe ajo që kaluam ishte një ëndërr!

Në fakt po veprojmë si gomari La Fontentenit, që kur po e hante ujku thoshte: O Zot bëje ëndërr!

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll