Një 26-vjeçar, i cili dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë, është arrestuar nga policia e Korçës.
Bëhet me dije se shtetasi Klaudio Asllani, 26 vjeç, banues në Korçë, kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu dhe tashmë ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
I riu sapo ka parë Policinë ka hedhur armën e zjarrit në një kosh mbeturinash dhe është larguar menjëherë, ndërsa pak minuta më vonë u bë i mundur arrestimi i tij.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Matrix”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë.
Qarkullonte i armatosur dhe gati për qitje, vihet në pranga 26-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.
Procedohet penalisht në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë dhe krehëri me fishekë në të.
Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që kishte dalë muajt e fundit nga burgu, dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Matrix”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-K. A., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shërbimet e Policisë, falë koordinimit të veprimeve, kanë bërë të mundur lokalizimin 26-vjeçarit në lagjen nr. 14, Korçë. Ky shtetas, sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me shtetasin K. A. 17-vjeçari dyshohet që ka pasur dijeni se shtetasi K. A. mbante me vete armë zjarri.
Vijon puna intensive, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, të cilat, për arsye hetimore, nuk i bëjmë dot me dije.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.