Hapësire reklamuese

Aktualitet

EMRAT/ Publikohet LISTA nga 2003-2020, këta janë praktikuesit e Jehovait që kanë kryer vetëvrasje

Shkruar nga Newsbomb
Foto ilustruese

Ngjarja tragjike e ndodhur të enjten e kaluar (2 korrik 2020) ka tronditur mbarë opinionin publik dhe vetë autoritet shqiptare. Në zonën e Kombinatit, u gjetën të pajeta në banesën e tyre, Zhaneta Josifi dhe e bija e saj 30-vjeçare Anisa Josifi. Vajza tjetër, Blerta 33 vjeç, ishte në gjendje të rëndë për jetën, por u dërgua menjëherë në spital dhe mundi të mbijetojë.

Kjo ngjarje e padëgjuar më parë në Shqipëri, ka bërë që media dhe autoritetet përkatëse të kthehen pas në kohë, pasi nuk është hera e parë që praktikues të Jehovait, vetëflijohen në emër të ringjalljes. Në 17 vitet e fundit, kanë humbur jetën 14 persona, praktikues të sektit fetar "Dëshmitarët e Jehovait", të cilët dyshohen se janë vetëflijuar në emër të ringjalljes. 

Një rast është shënuar në vitin 2003 në Karbunarë të Lushnjës, ku një 17-vjeçare vrau veten me armë zjarri, por në një letër lamtumire dha detaje për aktin e rëndë. E reja shkruante se pas vdekjes do të shkonte afër Zotit dhe do të ringjallej. Ajo kishte pak kohë që ishte shpallur praktikante e Dëshmitarëve të Jehovait.

Ngjarjet e vitit 2005 që tronditën të gjithë opinionin publik shqiptar inkriminojnë organizatën “Dëshmitarët e Jehovait” ndoshta jo drejtpërdrejtë, por si nxitëse përmes doktrinës së tyre fetare

10 janar 2005, Marenglen Tarja, gjendet i vetvarur në Mushqetë të Tiranës. 16-vjeçari frekuentonte prej pak kohësh godinën ku kryente aktivitetin sekti “Dëshmitarët e Jehovait” në Mushqetë. Marenglen Taraj u vetvar me litar në një pemë pranë shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi ditën e dielë dhe sipas disa bashkëmoshatarëve të viktimës Marengleni kishte deklaruar më parë: “Tani e kam radhën unë…Po të vdesësh të dielën është mirë, se ringjallesh të hënën…”

12 shkurt 2005, Alda Cena, nxënëse në klasën e pestë në qytetin e Fierit u gjet e vetëvarur në tualetin e shtëpisë. Fillimisht u fol se vajza e mitur kishte përqafuar “Dëshmitarët e Jehovait” dhe kjo u bazua në disa fletushka që policia gjeti në shtëpinë e viktimës. Por ky version i policisë u hodh poshtë që në fillim nga të afërmit e viktimës. Edhe versioni zyrtar e përjashtoi një gjë të tillë.

17 shkurt 2005, vetëm pesë ditë pas vetëvrasjes së Aldës, vetëvaret bashkëmoshatarja e saj nga Tirana, Joana Rajdho, me prindër të divorcuar. Joana u gjet e vetëvarur nga gjyshërit e saj (nga nëna) në banjën e shtëpisë. Fillimisht, si shkak i vetëvrasjes u cilësua një notë katër, që ajo kishte marrë në lëndën e matematikës, por më pas dhe problemet familjare. Por shokët dhe shoqet e Joanës deklaruan të kundërtën. Ata thanë se vajza e vetëvrarë ishte “Dëshmitare e Jehovait”. Dëshmitë e bashkëmoshatarëve të viktimës janë hedhur poshtë nga nëna e Joanës.

20 shkurt 2005, vetëvaret në kasollen e bagëtive 13-vjeçarja Eriola Elezi, nga fshati malor i Velçanit në Mokrën e Sipërme në Pogradec. Sipas hetimeve të policisë, vajza nuk kishte asnjë arsye familjare që t’i jepte fund jetës. Ndërsa policia nisi hetimet intensive për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje, kryetari i komunës, Ramazan Rapçe, deklaroi se viktima prej 3 muajsh frekuetonte një shoqatë fetare të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”.

27 prill 2005, vetëvaret 13-vjeçari Viron Dhani. Adoleshenti nga fshati Ndërmënas i rrethit të Fierit u gjet i vetëvarur me citate të broshurave të Jehovait. Sipas familjarëve, prej një viti, Vironi vuante nga epilepsia. Ende deri sot nuk janë saktësuar rrethanat e kësaj vetëvrasjeje, por burime të policisë që shkuan në vendngjarje thanë se adoleshentit iu gjetën në xhep citate të sektit “Dëshmitarët e Jehovait”. Adoleshenti kishte rezultate të mira në shkollë.

1 maj 2005, gjendet e helmuar Athina Nunka, 13-vjeçe, nga fshati Dishnicë i rrethit të Korçës. Ngjarja ndodhi në ditën e Pashkës dhe sipas policisë adoleshentja ishte vetëhelmuar. Por një gjë e tillë nuk u pranua kurrsesi nga prindërit e saj. Sipas të afërmve, prindërit dhe motrat e Athinasë ishin në kishë kur ndodhi ngjarja. Viktima donte të shkonte me ta në kishë, por prindërit i kanë thënë se dikush duhet të qëndronte në shtëpi. Familjarët thanë se kishin gjetur në shtëpi karamele të dyshimta, që sipas tyre duhej t’i kishte sjellë dikush.

21 maj 2005, Alfred Hasa 25-vjeç, gjendet i vetëvarur me litarë në dhomën e tij në lagjen Kombinat të Tiranës. Hasa ishte anëtar i “Dëshmitarëve të Jehovait”. Menjëherë në vendngjarje mbërritën uniformat blu të Komisariatit numër 6 dhe mjekët eksperto-ligjorë, të cilët shënuan në dosjet e tyre rastin tjetër të vetëvrasjeve të sektit të “Dëshmitarëve të Jehovait”. Si shkak i një akti të tillë, mendohet të ketë ndikuar edhe papunësia, pasi Hasa prej 2-muajsh ishte larguar nga puna. Sipas burimeve nga Komisariati numër 6 i kryeqytetit, viktima ishte frekuentues i rregullt i “Dëshmitarëve të Jehovait” dhe kjo ishte bërë e ditur pas marrjes në pyetje të familjarëve të tij, vëllait të vetëm e dy prindërve dhe dërgimit në Prokurori të disa fletushkave fetare, të gjetura te sendet e tij personale. Si shkak i vetvrasjes ka qenë fillimisht mërzia që i ka shkaktuar papunësia dhe ky trishtim është pasuar me “prehjen” që gjendet në botën e përtejme, një nga pasazhet e frekuentuesve të “Dëshmitarëve të Jehovait”.

Fenomeni i vetëvrasjeve në Shqipëri filloi të “lulzonte” kur e mitura 11 vjeçe nga Tirana, me mbiemrin Rajdho, u gjet e varur në shtëpinë e saj. Sipas dëshmive të mbledhura gjatë asaj kohe e mitura ishte frekuentuese e rregullt e sektit Dëshmitarët e Jehovait.

Më pas, në Fier, Esmeralda Cena, me të njëjtën moshë, ishte viktima e dytë e kësaj vale të gjatë. Sipas burimeve nga gazeta “Korrieri” duke cituar deklaratat e policisë, 11-vjeçarja ishte varur në banjën e banesës ku ajo jetonte, me shallin e saj të cilin e kishte kapur tek varesja e peshqirëve.

Në Mokër të Pogradecit, një javë më vonë regjistrohet një tjetër rast dhe sërish e vetëvarura në kasollen e bagëtive u zbulua se ishte anëtare e “Dëshmitarëve të Jehovait”.

13 Shkurt 2005, Silvana Hoxha vdiq pasi refuzoi të merrte gjak për të shpëtuar. Silvana Hoxha, e lindur ne Burrel, ishte Dëshmitare e Jehovait dhe bënte pjesë në këtë mision prej të paktën 9 vjetësh. Ajo nuk i lejoi bluzat e bardha t’i jepnin gjak, edhe pse ishte shumë rëndë. Veshkat i ishin shkatërruar dhe ndodhej në dializë. Sipas të atit të viktimës, ai ishte grindur disa herë me pjesëtarë të sektit, pasi vinin shpesh në spital duke i kërkuar të sëmurës që të refuzonte transfuzion gjaku. 

Një vajzë nga Tirana, 24 vjeç, e semurë rëndë dhe e shtruar në spitalin e Tiranës, vdiq rreth dy vjet përpara kësaj ngjarje, duke refuzuar sipas familjes së saj, të shkelë besimin Jehovaj. Pak javë më vonë, në maj të 2002, ajo ndërroi jetë në spitalin ” Nënë Tereza”.

Sipas citimeve të dëshmitarëve të Jehovait në faqen e tyre në internet në gjuhën shqipe, “është gabim që gjaku të hahet”. Këtu, duke u shtruar pyetja: “A është gabim të pranohet transfuzioni i gjakut”, jepet kjo pergjigje: “Mos harro, Jehovai kërkon që të përmbahemi nga gjaku. Kjo do të thotë që në asnjë mënyrë nuk duhet të fusim në trup gjakun e një personi tjetër, madje edhe gjakun tonë që është ruajtur mënjanë.

Dhe së fundmi ngjarja e Kombinatit më 2 korrik 2020. Zhaneta dhe e bija e saj Anisa Josifi u gjetën të pajeta në banesën e tyre, pasi ishin vetëflijuar. Në shtëpinë e tyre u gjetën shënime me përmbajtje fetare. Në spital, vajza e mbijetuar Blerta Josifi, u tha hetuesve: Ju nuk e dini se çfarë sakrificash kemi bërë ne për të fituar ringjalljen. Ato ishin pjesë e një grupimi të quajtur Guard Tower (Kulla e Rojes), pjesë e "Dëshmitarëve të Jehovait".

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll