Hapësire reklamuese


Politikë

Elva Margariti duke ikur: Edi Rama më zbuloi dimensione humane që nuk i njihja

Shkruar nga Newsbomb
Elva Margariti duke ikur: Edi Rama më zbuloi dimensione humane që nuk

Elva Margariti e cila u shkarkua nga posti i ministrisë së Kulturës, disa ditë më parë për shkak të shkrirjes së ministrisë ne atë të Ekonomisë dhe Inovacionit ka zgjedhur të flasë këtë herë për aspektin njerëzor dhe mirënjohjën e saj për kryeministrin Rama i  cili i besoi drejtimin ministrisë e Kulturës për pesë vite me radhë.

Përmes një postimi në Facebook, ish-ministrja thotë se në këto pesë vite në krye të ministrisë së Kulturës është mbushur me një përvojë të jashtëzakonshme, qën sipas saj e rriti si njeri dhe si profesioniste.

LEXO EDHE: Ndryshime në kabinetin qeveritar, Blendi Gonxhja lë DPSHTRR dhe bëhet ministër

Margariti falenderon kryeministrin Rama për detyrën dhe vizionin që i besoi.  Ish-ministrja zbulon ndër të tjera  se Rama e ndihmoi të zbulonte te vetja dimensione të tjera humane që nuk i njihte.

Pasditen e 8 janarit kreu i qeverisë, Edi Rama, njoftoi formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Drejtimi i këtij institucioni i është besuar ish-drejtorit tashmë të DPSHTRR, Blendi Gonxhja.

Kryeministri Rama tha se në fazën e re të zhvillimit ku ka hyrë vendi, duhet një koordinim ndërsektorial, ku Kultura nuk mund të mbetet më një ministri e ndarë.

Si rrjedhojë me këtë vendim të kreut të qeverisë  erdhi dhe shkrirja e Ministrisë së Kulturës.

Elva Margariti shërbeu si ministre e Kulturës që prej janarit të 2019. Ajo vinte nga arkitektura e megjithatë përveç profilit të ulët politik që ka mbajtur gjatë këtyre pesë viteve ne kabinet, nuk ka lënë shenja pozitive as në aspektin menaxherial.

Përgjatë këtyre viteve në krye të Ministrisë së Kulturës ka pasur vazhdimisht polemika për disa vendimmarrje, jo të mirëpritura nga komuniteti artistik si për shembull Galeria Kombëtare e Arteve vazhdon të jetë e mbyllur për publikun, megjithëse projekti i rikonsktruksionit duhet duhet të kishte përfunduar. Muzeu Kombëtar nuk është rikonstruktuar ende. Salla koncertore e Universitetit të Arteve edhe pse u përurua ende nuk funksionon.

Postimi i plotë i Elva Margaritit në Facebook

Sot nuk dua të flas për arritje e shifra, sepse do të ishte një përshëndetje e ftohtë statistikash. Nuk do të ndihesha unë nëse nuk do të flisja për dimensionin njerëzor, atë që jemi përpjekur të zbulojmë dhe të prekim me punën tonë.

U mbushën plot 5 vjet qëkurse m'u besua detyra e Ministrit të Kulturës.

E papritur, e paimagjinueshme...

Kisha jetuar 16 vjet në emigrim, me krenarinë e të qenit shqiptar si varkë shpëtimi, si motiv për të rigjetur Itakën.

Jo tokën, por veten, rrënjët e mia dhe rizbulimi i tyre m'u kthye në një motiv, që e gjeta të vlonte në shpirtin e çdo artisti, artizani, të riu, që ashtu si unë zgjodhi të rikthehet në vendin e origjinës.

Origjinës, që e kthyem në moton e së ardhmes, që na dha zemër të shpluhurosnim thesaret e shpirtit shqiptar, të përballonim çdo sfidë dhe të gjenim melhem për çdo plagë dhe gjatë viteve më të veshtira për mbarë globin.

Tej çdo vështirësie apo të papriture, gjetëm gëzim, dëshirë e pasion për të hapur shtigje të reja dhe për të treguar më të mirën e shqiptarisë, që e kemi promovuar në të gjithë botën si asnjëherë më parë!

E mbushur me këtë përvojë të jashtëzakonshme që më rriti si njeri dhe si profesioniste, nuk mund të mos i jem falenderuese Kryeministrit Rama për detyrën dhe vizionin që më besoi, që zbuluan tek unë të tjera dimensione humane që nuk ia njihja vetes; që më sprovoi me sfida të reja që më bënë të vlerësoja edhe më shumë njerëzit e palodhur dhe pasionantë të kulturës.

Falenderime për ata mijëra bashkëpunëtorë që iu bashkuan vizionit tonë për kulturën; në veçanti stafit të Ministrisë së Kulturës, për orët e gjata kaluar së bashku në emër të së bukurës; pa dyshim artistëve, krijuesve, atyre që mbajnë gjallë jetën artistike e kulturore e që do t'i duartrokas si spektatore!

Faleminderit të gjithë atyre që më kanë shkruar këto ditë e më kanë prekur me fjalët e tyre; të njohur e të panjohur nga mbarë globi që janë ndier krenarë për kulturën shqiptare!

Faleminderit me zemër!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese