Hapësire reklamuese

Politikë

Elisa Spiropali hap Kongresin: Askush si Edi Rama dhe Partia Socialiste, jemi shpresa

Shkruar nga Newsbomb
Elisa Spiropali hap Kongresin: Askush si Edi Rama dhe Partia Socialiste, jemi
Ministrja për Parlamentin dhe një ndër figurat kryesore të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka hapur Kongresin e Jashtëzakonshëm që po mbahet këtë 8 Dhjetor në Tiranë. Ajo ka folur për sfidat nëpër të cilat ka kaluar qeverisja socialiste, për t'u kthyer në burim shpresë te shqiptarët. Gjatë fjalës së saj, nuk munguan dhe superlativat për Edi Ramën dhe qeverinë socialiste që vazhdon drejtimin e Shqipërisë në mandatin e tretë si askush tjetër. "Ne kemi lirinë për t'u korrigjuar dhe për të mësuar nga gabimet tona. Asnjë lider tjetër sa Edi Rama dhe asnjë organizatë tjetër sa Partia Socialiste, nuk është treguar kaq e aftë në praktikën e vetëkorrigjimit. Kjo sfidë, kërkon reformimin tonë të vazhdueshëm, në parti, në qeveri dhe në administratë", u shpreh Elisa Spiropali. Lexo edhe: Agjenda e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS: Edi Rama flet i fundit! Ministrja socialiste u ndal dhe te kundërshtarët në opozitë, të cilët prej javësh kanë përshkallëzuar veprimet në Parlament duke pamundësuar funksionimin normal të tij. "Ata ndezin zjarre, ne ndërtojmë edhe duke shuar zjarrvëniet e tyre. Ne jemi bashkarisht në një sallë Parlamenti, por jemi vite dritë lart dhe larg atyre që po i tmerron ora e së vërtetës. Ata tentojnë që destabilitetin e tyre moral e politik, t'ia imponojnë gjithë shoqërisë shqiptare. Ata e shohin zjarrin si mjet politik, ne ndezim flakën e shpresës për Shqipërinë e gjeneratës tjetër", vijoi ajo.

Pjesë nga fjala e ministres socialiste Elisa Spiropali, në Kongresin e Jashtëzakonshëm:

Shqipëria po jeton ditë të jashtëzakonshme. Sfida jonë është e ardhmja dhe projektimi i saj i pakthyshëm, si një vend evropian, më i lirë, vend i njerëzve të fortë. Me standarde, me më shumë liri shoqërore, më i shëndetshëm. Por nuk ka asnjë të ardhme të sigurt pa qortimin e së djeshmes. Çdo krim duhet të ketë ndëshkimin e tij. Pak ditë më parë Gjykata e Strasburgut shkroi vendimin për pushkatimin pa gjyq të katër protestuesve në bulevard. Ky vendim që vjen nga zemra e Evropës, do të kuptoni përse çeta opozitare vjell zjarr dhe thyen karrige. Reforma në Drejtësi është një nga sfidat më madhore që kemi marrë. Është historike ajo që është bërë, se drejtësi në Shqipëri pavarësisht qeverive, nuk ka pasur. Ne socialistët besojmë se suksesin duhet ta ndajmë me të gjithë. Ky është dhe dallimi kryesor nga kundërshtarët tanë, të cilët me Parlamentin sillen si piromanë. Sa herë të ketë ballafaqime elektorale, ata gjithmonë do të humbin dhe ne do të fitojmë. Ata ndezin zjarre, ne ndërtojmë edhe duke shuar zjarrvëniet e tyre. Ne jemi bashkarisht në një sallë Parlamenti, por jemi vite dritë lart dhe larg atyre që po i tmerron ora e së vërtetës. Ata tentojnë që destabilitetin e tyre moral e politik, t'ia imponojnë gjithë shoqërisë shqiptare. Ata e shohin zjarrin si mjet politik, ne ndezim flakën e shpresës për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Ata kanë humbur edhe shpresën vetjake. Ndryshe prej tyre, ne kemi lirinë për t'u korrigjuar dhe për të mësuar nga gabimet tona. Asnjë lider tjetër sa Edi Rama dhe asnjë organizatë tjetër sa Partia Socialiste, nuk është treguar kaq e aftë në praktikën e vetëkorrigjimit. Kjo sfidë, kërkon reformimin tonë të vazhdueshëm, në parti, në qeveri dhe në administratë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese