Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar për ekstradimin e mësuesit turk Harun Çelik, duke e konsideruar këtë një shkelje të të drejtave të njeriut.
Në reagimin e saj Hajdari thotë se ai është ekstraduar pa një vendim gjyqësor drejt një vendi ku ka rrezik serioz për jetën.
“Me ekstradimin e shtetasit turk Harun Çelik, pa një vendim gjyqësor dhe drejt një vendi ku ka rrezik serioz për jetën dhe trajtimin e tij, gjendemi përball shkeljeve të të drejtave të njeriut, ligjeve në fuqi të RSH, Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën e Këshillit të Europës për Ekstradimin.
Institucionet përkatëse të ndërmarrin masa për zhvillimin e procesit të rregullt ligjor për subjektin dhe të ndalohen aktet politike në cënim të të drejtave të njeriut”, shkruan ajo.
Shtetasi turk është akuzuar si mbështetës i Gylenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan dhe është 42 vjeç. Ai është kapur në aeroportin e Rinasit rreth 6 muaj më parë ku tentoi të kalonte tranzit me pasaportë false kanadeze. Pasi kreu dënimin në Shqipëri iu premtua se do dërgohej në qendrën e azilkërkuesëve.