
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë të Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, që të fshijë fotot e publikuara në llogarinë zyrtare nga vizita e fundit e ministrit Igli Hasani të zhvilluar në Kosovë.
Karamuço pohon se në këto foto shihen persona të cilët për shkak të funksioneve sekrete që janë duke zhvilluar në vendin tonë, ju rrezikohet zbulimi i idenitetit.
“I bëj thirrje urgjente Ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të heqë nga galeria e fotove të vizitës së fundit në Kosovë, pamje të personave, që për shkak të funksioneve sekrete dhe inteligjente që kryejnë në vendin tonë, ju rrezikohet dekonspirimi identitetit”, shkruan Karamuço në llogarinë e tij në “Facebook”.
* Në respekt të etikës gazetareske dhe ruajtjes së identitetit të personave të shërbimeve inteligjente që shoqërojnë ministrin, siç pohon dhe eksperti Ervin Karamuço, newsbomb.al nuk po pasqyron pamjet në të cilat këta persona shfaqen.
Kujtojmë se ministri i Jashtëm, Igli Hasani, që prej ditës së djeshme 16 janar, është duke zhvilluar një tur tre ditor në vendet e rajonit. Fillimisht ai u ndal në Kosovë ku dhe u prit nga homologia e tij, Donika Gërvalla. Mesditën e së martës ministri Hasani zhvilloi një sërë takimesh. Ai takoi presidenten Vjosa Osmani, gjithashtu i shoqëruar nga ministr i Brendshëm, Xhelal Sveçla, vizitoi kullën e heronjve “Gërvalla”.
Ndërkohë, ditën e sotme, 17 janar, ministri Hasani sipas axhendës së programuar udhëtoi drejt Maqëedonisë së Veriut. Ai u prit nga homologu i tij Bujar Osmani.
Gjithashtu, përveç kryetarëve të partive opozitare, ministri takoi edhe kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, i cili do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, ditën e nesërme, në përfundim të turit të tij tre ditor në vendet e Rajonit, ministri do të shkojë në Mal të Zi, ku dhe do të takohet në Podgoricë me homologun Filip Ivanoviċ, Presidentin Jakov Milatoviç, Zv/Kryeministrin, Nik Gjeloshaj dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe Kryetarët e partive politike shqiptare të Malit të Zi.