Eksperti britanik i cili njeh shumë mirë zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, James Ker-Lindsay, në një intervistë për EWB ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për dy opsionet që sipas tij kanë mbetur në rrugën për të ecur përpara.
Ker-Lindsay thotë se këto dy opsione janë ose ndarja ose krijimi i një autonomie për serbët, pra që nënkupton krijimin e Asociacionit.
Ai në këtë intervistë ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve ende s’ka vdekur dhe se ka ende njerëz që e mendojnë se është një nga opsionet. Madje kur e thotë këtë, kujton fjalët e një ish-diplomati amerikan që kishte përshkruar korrigjimin e kufijve si një ide, koha e së cilës ende s’kishte ardhur.
“Ka nga ata që ende mendojnë se ky është një opsion”, ka thënë Ker-Lindsay për EWB, transmeton Express.
“Ka vetëm dy opsione të dukshme” shprehet Lindsay, duke thënë se e para është ndarja dhe e dyta është dhënia e një “autonomie kuptimplotë” për serbët që jetojnë në Kosovë.
Kur flet për ndarjen, ai thotë se kjo mund të bëhet zyrtarisht me një demarkacion të kufirit për të cilin palët bien dakord. Sipas Ker-Lindsay duhet të ndiqet shembulli i Irlandës së Veriut.
“Kjo është ajo ku veriu i Kosovës bie nën kontrollin e Serbisë, dhe të gjithë pranojnë se ky është realiteti në terren dhe pastaj në një moment ata arrijnë njëfarë marrëveshjeje për të. Jo domosdoshmërisht mënyra e rregullt për ta bërë këtë – dhe mendoj se një marrëveshje formale do të kishte shumë më kuptim – por kjo është një mënyrë”, ka thënë ai.