Të rinjtë shqiptarë në grupmoshën 14-29 vjeç e vlerësojnë më shumë të ushqehen shëndetshme se sa të vishen me marka.
Një përqindje shumë e lartë e të rinjve (90,2%) e konsiderojnë ushqyerjen e shëndetshme si diçka të rëndësishme.
Pavarësia është vlera e dytë më e rëndësishme për të rinjtë (84,1%), sipas një ankete të realizuar nga Instituti i Politikave Publike dhe Private, Friedrich-Ebert-Stiftung, në të rinjtë 14-29 vjeç këtë vit.
Nga ana tjetër, një pjesë e vogël e pjesëmarrësve (22,8%) mendojnë se të vishesh me veshje të firmave të shtrenjta është e rëndësishme.
Këto të dhëna tregojnë se për të rinjtë është më e rëndësishme të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe të duken bukur, por, me sa duket, këto aspekte ata nuk i shohin shumë të lidhura me mbajtjen e rrobave të shtrenjta.
Studimi vë në dukje, se ka një tendencë në rritje të të rinjve për të jetuar më vete.
Një numër i lartë i të rinjve (82,5%) mendojnë se të kesh fëmijë është diçka e rëndësishme në jetë dhe kjo është e rëndësishme për të dyja gjinitë.
Karriera profesionale është një tjetër aspekt i jetës që një pjesë e madhe e të rinjve pjesëmarrës në studim e konsiderojnë si të rëndësishëm dhe shumë të rëndësishëm (81,4 %).
Femrat duket se janë disi më të interesuara për të kryer studimet universitare (84,8 %) në krahasim me meshkujt (73,1%).
Të rinjtë mendojnë se të marrësh përgjegjësi është një vlerë individuale e rëndësishme (75,1%). Në lidhje me këtë çështje nuk vërehen diferenca gjinore.
Gjithashtu, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve (61,1%) mendojnë se pasurimi është një objektiv për të cilin ia vlen të punosh. Një përqindje e konsiderueshme e të rinjve të pyetur mendojnë se të bësh sport (75,5%) dhe të dukesh bukur (73,1 %) janë pjesë të rëndësishme të jetës.
Të dhënat tregojnë se të rinjtë nuk janë të prirë të përfshihen në iniciativa sociale (24%) dhe se janë edhe më pak të interesuar të angazhohen në aktivitete politike (14%). Në lidhje me këto çështje nuk ka një diferencë gjinore.
Kur u pyetën në lidhje me shqetësimet e tyre mbi situatën socio-ekonomike të vendit, të rinjtë pohuan se frika më e madhe e tyre është mos-gjetja e një vendi pune (61,2%).
Gjithashtu, të rinjtë duket se kanë frikë nga problemet e rënda shëndetësore (56,3 %). Kjo mund të lidhet me faktin se pjesa më e madhe e tyre (59,3 %) nuk kanë besim te sistemi shëndetësor në Shqipëri. Një gjetje që është me interes të theksohet është se thuajse gjysma e të rinjve të pyetur (48,6%) pohuan se janë shumë të frikësuar dhe 29,6% disi të frikësuar nga fillimi i një lufte./Monitor