Teprica e kapitalit të sektorit bankar arriti në nivelin 46 miliard lekë në fund të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, teprica e kapitalit u rrit me rreth 10 miliard lekë ose 28% krahasuar me mesin e vitit.
Kjo shifër konsiston në diferencën mes kapitalit faktik të sektorit bankar dhe kapitalit minimal që ai duhet të ketë, mbështetur në kërkesat rregullatore të Bankës së Shqipërisë.
Një tepricë kapitali tregon aftësinë e sektorit bankar në tërësi për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme shtesë për kapital. Ecuria e tepricës së kapitalit përcaktohet nga ecuria e fitimit të bankave, sjellja e elementeve të kapitalit rregullator dhe kërkesat rregullatore që duhet të përmbushen.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e kapitalit të disponueshëm ka ardhur si rrjedhojë e zhvillimeve pozitive në ecurinë e kapitalit rregullator. Me qëllim forcimin e vazhdueshëm të pozitave të kapitalit, bankat kanë rritur rezervat e krijuara nga fitimet e pashpërndara dhe kanë shtuar përdorimin e borxhit të varur.
Sipas Bankës së Shqipërisë, të dy këta elementë kanë përmirësuar treguesit e kapitalit.
Bankat me rëndësi sistemike (BKT, Credins, Raiffeisen dhe OTP Albania) në fund të vitit 2023 kishin një tepricë kapitali në vlerën e 17 miliard lekëve, në rritje me rreth 1 miliard lekë krahasuar me një vit më parë. Teprica e kapitalit për këto banka është rritur në një masë të vogël, kryesisht për shkak të rritjes së mëtejshme të kërkesave rregullatore për kapital ndaj tyre.
Bankat e tjera në fund të vitit rezultojnë me një tepricë kapitali më të lartë se ajo e bankave sistemike, si rezultat i nivelit më të ulët të kërkesave rregullative për t’u përmbushur nga këto banka. Në dhjetor 2023, kjo tepricë ishte 28 miliard lekë, ose 9 miliard lekë më shumë se teprica e kapitalit të një gjashtëmujori më parë.
Kërkesa bazë e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare është në nivelin 12%, por prej vitit 2019 Banka e Shqipërisë ka nisur edhe aplikimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit.
Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit bankar, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit lëviz në intervalin 18%-20% për bankat me rëndësi sistemike dhe 14%-17% për bankat e tjera.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2023 arriti në 19.42%, nga 18.13% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.
Faktori me ndikimin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator të sektorit ka qenë rezultati i lartë financiar i vitit 2023. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2023 fitimi neto i sektorit bankar me standardet lokale arriti në 32.5 miliard lekë, në rritje me pothuajse 50% krahasuar me vitin 2022. Rritja e normave të interesit ka dhënë një efekt të lartë në rritjen e rezultatit neto nga interesat dhe në rezultatin financiar neto të sektorit bankar. /monitor.al