Shqipëria ka shënuar një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë vitit 2024, e cila kryesisht është e nxitur nga konsumi, turizmi dhe ndërtimet.
Kështu rezulton nga raporti më i ri i Bankës Botërore, i cili analizon trendet e rritjes në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Raporti me titull “Ruajtja e Ritmit të Rritjes” parashikon se shkalla e varfërisë do të zbutet, ndërkohë që pagat do të vazhdojnë të rriten. Investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 8.5% krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Bankës Botërore, shumica e ekonomive në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar një rritje të moderuar gjatë këtij viti. Rajoni pritet të shënojë një rritje prej 3.3% në 2024, nga 2.6% në 2023. Kjo tendencë rritjeje pritet të vazhdojë edhe në vitin 2025, duke arritur deri në 3.7%.
Megjithatë, raporti thekson se rajoni mbetet i brishtë për shkak të rritjes së ulët ekonomike globale, inflacionit, pasigurisë politike dhe kushteve ekstreme të motit. Sipas të dhënave, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa Shqipëria ka mbajtur të njëjtin nivel rritjeje si në 2023. Mali i Zi, nga ana tjetër, është i vetmi vend në rajon që ka regjistruar një rënie ekonomike, duke kaluar nga 6.3% në 2023 në 3.4% në vitin 2024.