Duke nisur sot, vendi ynë është bërë zyrtarisht anëtare e SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që përfshihet në këtë sistem. Ky hap është një arritje historike për Shqipërinë dhe një tjetër hap më pranë integrimit të plotë në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Anëtarësimi në SEPA do të ulë ndjeshëm kostot e pagesave ndërkufitare në Euro. Qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë transferta financiare drejt vendeve të tjera të skemës me kosto deri në 5 herë më të ulëta, ndërsa koha e kryerjes së pagesave do të reduktohet në më pak se një ditë pune. Konkretisht ky zhvillim pritet t’i kursejë ekonomisë shqiptare mbi 20 milionë euro që në vitin e parë.
Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, deri më tani një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA.
Kësisoj, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e konsideron këtë një moment historik për vendin tonë.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së,” deklaroi Guvernatori Sejko.
Përfitimet janë të shumta, duke nisur nga ulje e kostove për transferta, lehtësim i tregtisë me Bashkimin Evropian, rritje e investimeve të huaja dhe mbështetje për sektorë strategjikë si turizmi dhe remitancat. Gjithashtu, bizneset shqiptare do të kenë akses më të lehtë në tregun evropian, duke rritur konkurrencën dhe mundësitë për zhvillim.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA ka nisur në vitin 2021 dhe u finalizua me miratimin e kërkesës nga Këshilli Evropian i Pagesave.