Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Ekonomi

Ola Xama i përvishet edhe FMN: Për çfarë pavarësie po flisni?! Banka më ka shpallur “non grata” për tenderin e ish-Dajtit

Shkruar nga Newsbomb
Ola Xama i përvishet edhe FMN: Për çfarë pavarësie po
Fotomontazh: Ola Xama

Gazetarja Ola Xama, njëkohësisht bashkëpunëtore e revistës NEWSBOMB.AL e komenton si të pavend deklaratën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të mos cenuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë nën argumentin e “stabilitetit financiar”.

Gazetarja, duke ngritur zërin për mijëra qytetarë shqiptarë që janë mashtruar nga mikrokreditë nën hundën e Bankës së Shqipërisë, thotë se FMN e ka të qartë që BSH drejtohet nga Këshilli Mbikqyrës dhe jo nga guvernatori.

Më pas ngre dhe një shqetësim tjetër. “Prej kohësh jam shpallur “non grata” nga BSH sepse kam kërkuar transparencë për kontratën e rikonstruksionit të ish-Hotel Dajti. Në shkallën e parë e kam fituar gjyqin, por tani ka kaluar në apel”, shkruan gazetarja që dyshon për procedurën e ndjekur me rikonstruksionin dhe kontratën abuzive.

Postimi i plotë

Po shoh që Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur së fundi se nuk duhet cënuar pavarësia e  Bankës e Shqipërisë. Kjo deklaratë do të dukej rutinë dhe e mirëpritur, po të mos vihej në kontekstin e pyetjes që i është drejtuar lidhur me hetimet për skemën e abuzimit me mikrokreditë. Për këtë FMN ka thënë se nuk komenton, por ka dashur të sqarojë rëndësinë e stabilitetit financiar të vendit. Në dhënien e komenteve nuk ka ‘por’, ose komenton ose jo, dhe Fondi ka komentuar!

Çdokush që do të ishte i paanshëm, minimalisht nuk do të përpiqej t’i jepte mbrojtje masakrës që ka ndodhur me jetën e mijëra qytetarëve. E për të bërë këtë analizë nuk ka nevojë fare të kujtohet sa ishte niveli i kredive me probleme në vitin 2015 dhe si është mbështetur ky plan nga FMN. FMN mjafton të lexojë raportet e ekzaminimit që ka bërë Departamenti i Mbikëqyrjes në BSH (departament për të cilin kam respekt dhe vlerësim), për të kuptuar se çfarë ka ndodhur! Këto raporte kanë nxjerrë në pah 4 vjet më parë se çfarë ka ndodhur dhe se askush nuk ka vepruar. Nëse duhej të vepronte Prokuroria apo Guvernatori i Bankës Qëndrore, këtë le ta zgjidhin hetimet.

Sa për ruajtjen e pavarësisë, FMN e di më mirë se të gjithë ne që Banka e Shqipërisë drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës dhe jo nga guvernatori. Ndaj që institucioni të funksionojë në mënyrë të pavarur vendimet duhet të merren nga organi më i lartë! Por çfarë ka ndodhur me Këshillin Mbikëqyrës? Informacioni që marrin anëtarët nuk është i plotë, madje kemi raste të largimit të tyre kur kanë kërkuar të dhëna për zhvillimin e procedurave tenderuese dhe operacionale në këtë institucion. Disa antarë janë në konflikt të hapur interesi, pasi familjarë të tyre janë të punësuar në Bankën e Shqipërisë, ndërsa disa të tjerë janë antarë bordi në institucione të tjera në konflikt interesi. (Siç është rasti i një antareje që është emëruar së fundi në Këshillin Drejtues të Korporatës së Investimeve).

Stabiliteti financiar i Bankës Qëndrore është i rëndësishëm dhe bazohet te një element kryesor: besimin! E që një institucion të jetë i besueshëm, ai duhet të jetë transparent. Personalisht mendoj se një nga institucionet me nivelin më të ulët të transparencës është Banka e Shqipërisë. Asnjë fjalë nuk u tha se çfarë po ndodhte me institucionet e mikrokreditit, asnjë raport publik, asnjë këshillë për qytetarët, asnjë guidë për kujdes. Të gjitha procedurat e prokurimit janë sekrete, nuk dihet kush i fiton, nëse ka shkelje apo konflikt interesi. Thonë që kontrollohemi vetë, nga auditues të jashtëm dhe KLSH, por dhe raportet e auditimit të KLSH nuk publikohen!

Njëkohësisht jam dhe palë e tretë në një proces gjyqësor me Bankën e Shqipërisë për refuzimin e dhënies së kontratës së punimeve për ish-Hotel Dajtin. Gjykata e Shkallës së Parë është shprehur në favorin e kërkesës sime dhe çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit. Emri i kompanisë që ka kryer punimet dhe falsifikimi i saj nga disa pronarë shqiptarë u publikua në një artikull të rrjetit Birn. Që nga ajo ditë, Banka e Shqipërisë më ka shpallur ‘non grata’ dhe nuk ftohem për të ndjekur aktivitetet e saj. Të njëjtën linjë ka diktuar dhe te Shoqata e Bankave, ndërsa telefonatat në redaksitë ku kam punuar nga kabineti i Guvernatorit për të censuruar publikimet kritike dhe për të diktuar linjën e lajmeve kanë qënë të vazhdueshme. Për çfarë pavarësie flet FMN?

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese