Hapësire reklamuese

Ekonomi

Në pesë muaj, emigrantët dërguan në Kosovë mbi 510 milionë euro

Shkruar nga Newsbomb
Në pesë muaj, emigrantët dërguan në Kosovë mbi 510
Foto ilustruese

Nga janari e deri në maj të këtij viti, emigrantët kanë dërguar 513.99 milionë euro në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore.  Vetëm gjatë majit, emigrantët dërguan mbi 119 milionë euro.

Rreth 120 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjellë në Republikën e Kosovës për muajin maj 2024.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve të tjera financiare (jobanka) për muajin maj 2024 të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për pesë muaj, sipas vlerësimeve preliminare, ka arritur në 513.99 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jobankare (IFJB) me pjesëmarrje prej 56.31%, pasuar nga kanalet tjera me 23.34% dhe bankat me 14.98%.

Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 318.62 milionë euro, duke shënuar rritje prej 1.62 milionë eurosh krahasuar me muajin paraprak.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.90 miliardë euro, e dominuar nga Letrat me Vlerë të Kapitalit me 78.14% të gjithsej aseteve.

BQK-ja tregon po ashtu se asetet e ndërmjetësve tjerë të financiarë në fund të muajit maj 2024 janë rritur për 11.42 milionë euro, duke arritur vlerën e 583.67 milionë eurove.

Asetet e bankave komerciale në fund të muajit maj 2024 kanë arritur vlerën në 7.40 miliardë euro, duke shënuar rritje për 0.25% krahasuar me muajin paraprak, kryesisht për shkak të rritjes së kredive bruto, të cilat në fund të muajit maj kanë arritur vlerën në 5.22 miliardë euro. Krahasuar me muajin paraprak kreditë bruto në maj 2024 janë rritur për 80.99 milionë euro ose 1.58%.

Vlera e kredive të reja në muajin maj 2024 ishte 232.94 milionë euro. Norma mesatare e interesit në kredi në muajin maj 2024 ishte 6.14% (në prill 2024 ka qenë 6.07%)./ Monitor 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese