Buxheti 2024 u ndryshua për herë të dytë me një akt normativ i cili rrit të ardhurat me rreth 27,2 miliardë lekë të ardhurat dhe po kaq shpenzimet. Deficiti buxhetor u la i pandryshuar.
Sipas tabelave që shoqërojnë ndryshimet pjesa më e madhe e shtesës prej rreth 6.6 miliardë lekë shkojnë si shtesë për buxhetin e ministrisë së infrastrukturës i cili arriti pas ndryshimeve në 74,3 miliardë lekë nga 67.7 miliardë lekë.
E gjithë shtesa ka shkuar për programin e transportit rrugor i cili u rrit me 6,6 miliardë lekë ose 65 milionë euro. Fondet për këtë program me ndryshimet e reja arrijnë në 33 miliardë lekë nga 26 miliardë lekë që ishin në buxhetin aktual.
Sipas aktit normativ njësitë e qeverisjes së përgjithshme mund të fillojnë procedurën e prokurimit të fondeve që në muajin shtator të vitit korrent, nëse fondet janë akorduar/regjistruar në sistemin e thesarit për vitin 2025 dhe në vijim, me kushtin që kjo kontratë të bëhet efektive vetëm pas miratimit të ligjit të buxhetit përkatës.”
Një shtesë prej 600 milionë lekësh në zërin “Shpenzime kapitale” në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural akordohet me vendim të Këshillit të Ministrave për financimin e objekteve, pajisjeve dhe makinerive të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytja për bashkitë.
Një fond prej 500 milionë lekësh shtohet në programin buxhetor “Zhvillimi rural, duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun” përdoret për skemën e mbështetjes me grante për investime në ferma, në vlerën e plotë prej 1 500 milionë lekësh, që financohet edhe në vitet e ardhshme buxhetore.”.
Një shtesë prej 150 milionë lekësh shkon për programin “Zhvillimi i sportit” të ministrisë përgjegjëse për sportin përdoret sipas përcaktimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4,137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3,650 milionë lekë. Ky fond ndahet midis skemave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 3 700 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave, në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.
Nga fondi i papërdorur i shpronësimeve në llogarinë e Bankës së Shqipërisë shuma prej 8 000 milionë lekësh derdhet në buxhet, si e ardhur jotatimore. /Monitor.al