Bashkimi Europian i ka dhënë qeverisë shqiptare një grant prej 136.2 milion eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.
Marrëveshja është firmosur ditën e sotme në Tiranë nga ministri i Financave, Ervin Mete, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe shefja e BERZH-it në vendin tonë, Ekatarina Solovova.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Ervin Mete përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Në postimin e tij, ministri, Ervin Mete shkruan se marrëveshja e nënshkruar ditën e sotme, ku janë përfitues të një granti me vlerë 136.2 milion euro, është granti më i lartë i akorduar nga BE për Shqipërinë për projekte investimi.
Gjithashtu, Mete shprehet se Plani i ri i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, pritet që të dislokojë edhe grante të tjera në vazhdim, nga të cilët Shqipëria pritet që të përfitojë mbi 900 milionë euro, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për financime të tjera në formën e granteve apo kredive të buta.
“Nënshkruam sot, së bashku me BE dhe BERZH marrëveshjen që siguron 136 milionë Euro grante të BE-së për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Ky është granti më i lartë akorduar nga BE për Shqipërinë për projekte investimi.
Plani i ri i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 900 milionë Euro do të krijojë mundësi për financime të tjera në formën e granteve, apo kredive të buta”,- shkruan në rrjetin social, Facebook, ministri Ervin Mete.
Ndërtimi për hekurudhën do të nisë në vitin 2025 dhe do të shërbejë për transportin e qytetarëve e mallrave, dhe po ashtu edhe për zhvillimin e turizmit.
Shqipëria po rikthen trenat pas afro 3 dekadash degradim, duke planifikuar të shtrijë rreth 120 km shina me stacione dhe sisteme që do të garantojnë shpejtësi deri në 100 km në orë.