Gazetarja e njohur e ekonomisë, Ola Xama thotë se vendimi i marrë pasditen e kësaj të enjte nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e ligjit për tatimin e profesioneve të lira, është një mësim për Qeverinë shqiptare si iniciatore e kësaj nisme.
Sipas saj, gjykata tregoi se qeveria nuk mund të bëjë fushatë me politikë taksash, duke i zeruar para zgjedhjeve dhe pastaj duke i dyfishuar ato sapo ka fituar.
"Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka një mësim shumë të mirë për qeverinë: nuk bëhet fushatë me politikë taksash! Para zgjedhjeve i bën zero dhe më pas i dyfishon. Nuk mund të gjesh intrepretime dhe atë që shet domate ta quash biznes, kurse atë që ofron shërbim të punësuar.
Do t’i taksosh? Taksoji të gjithë dhe merre mbrapsht premtimin që bëre në zgjedhje. Pastaj sa për skemat e evazionit për të punësuarit, ta kishte menduar që para se të bënte taksën zero dhe të vendoste tatimin progresiv.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përveç lehtësimit të barrës tatimore për bizneset dhe vendosjes së drejtësisë në treg, rrëzoi dhe fjalorin e propagandës. Propagandën e përdor kur del në televizior, por nuk mund ta shkruash në ligj", shkruan gazetarja Ola Xama.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, organi i vetëm përgjegjës që vendos për kushtetutshmërinë e akteve dhe ligjeve, ka vendosur sot të rrëzojë pjesërisht ligjin për tatimin e profesioneve të lira.
Sipas dispozitave ligjore, nga 1 janari i këtij viti ka nisur zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira. Bizneset, sipas ligjit, duhet të parapaguanin nga 600 deri në 1,000 euro në muaj tatim për vitin 2024, mbështetur te të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për 2023.
Ligji i ri parashikonte zbatim në dy periudha. Pas zbritjes së shpenzimeve, fitimet e të vetëpunësuarve, personave fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira, nga 1 janari 2024 taksoheshin me normat 15% dhe 23%. Ndërsa bizneset e tjera të vogla do të vijonin të kishin tatim zero deri më 31 dhjetor 2029.
Për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të bizneseve u kërkua shfuqizimi i nenit 69 që përcaktonte përjashtimin e bizneseve të tjera nga taksimi dhe të listës së shërbimeve të profesioneve të lira që u përfshinë në taksimin e ri. Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor përfshiheshin deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira.