Viti 2023 ka qenë shumë i mirë për shumë nga grupet më të mëdha në vend, që kanë parë deri dyfishim të fitimeve. Grupi me fitime më të mëdha në vend (para taksave) në 2023, ishte BALFIN, me gati 11 miliardë lekë, i ndjekur nga “Kastrati” me 8.1 miliardë lekë.
Pas 20 vitesh tranzicion në vend janë krijuar shumë grupe të mëdha, me aktivitet të qëndrueshëm, duke bërë blerje të reja që rrisin performancën. Kompanitë e tjera të mëdha, veç BALFIN e KASTRATI, realizojnë midis 1 dhe 2 miliardë lekë fitime në vit.
BALFIN
Grupi BALFIN, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madh sipas qarkullimit vjetor, por i pari me fitime.
Të ardhurat e 10 kompanive kryesore më të mëdha të grupit në Shqipëri ishin rreth 47 miliardë lekë, me rritje prej 20% me bazë vjetore. Fitimet u rritën me ritme shumë më të shpejta, me pothuajse dyfishim në 2023, duke arritur në gati 11 miliardë lekë.
Kompanitë që sollën më shumë fitime “money maker” të grupit në 2023 ishin “Green Coast” (3.6 miliardë lekë), “Tirana Bank” (2.3 miliardë lekë), qendra tregtare “TEG” (1.1 miliardë lekë) dhe “BALFIN Development” (1.4 miliardë lekë).
“Kastrati”
Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve, është diversifikuar në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë, ndërsa tre vitet e fundit ka hyrë dhe në fushën e aviacionit.
Qarkullimi vjetor i grupit ishte 121 miliardë lekë në 2023, me tkurrje prej 16% me bazë vjetore, e ndikuar nga rënia e aktivitetit të tregtimit të naftës, si rrjedhojë e rënies së çmimeve.
Fitimet e kompanisë u përmirësuan ndjeshëm në raport me 2022, kur tregtimi i karburanteve, që është baza e aktiviteti të grupit, rezultoi me humbje, si rrjedhojë e çmimeve të larta dhe fiksimit të përkohshëm të tavanit me të cilin u tregtua karburanti në shumicë dhe pakicë. Në 2023, fitimet arritën në 8.1 miliardë lekë, pothuajse dyfishim.
Tirana International Airport mbetet investimi më firimprurës i “Kastrati Group”, që solli gjysmën e fitimeve të grupit në 2023, teksa u nda dhe një dividend prej 3 miliardë lekësh, sipas depozitimit në QKB.
Transaksioni u finalizua në dhjetor të vitit 2020, kur “Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, për 71 milionë euro, vlerë që tashmë është rikuperuar si rrjedhojë e fitimeve të larta. Aeroporti i Rinasit është dhënë me koncesion që në vitin 2004 dhe pritet të përfundojë në 2040, nëse nuk do të ketë shtyrje të tjera.
Grupi AGNA
Grupi AGNA është distributori më i madh në vend dhe ka njohur zgjerim vit pas viti. Krahas tregtimit me shumicë, grupi ka aktivitet edhe në prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve freskuese dhe vitet e fundit ka hyrë dhe në segmentin e prodhimit të birrës.
Dy kompanitë kryesore të grupit, “AGNA sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa sh.a.” (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Ëines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2023 një xhiro prej rreth 28 miliardë lekësh, pothuajse i njëjti nivel si një vit më parë
Fitimet e këtyre kompanive ishin 1.8 miliardë lekë, me rritje gati 8% me bazë vjetore.
Grupi Bigalb
“Bigalb” është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 29.6 miliardë lekë në vitin 2023, me zgjerim prej 8%, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të “Big Market”.
Fitimet e grupit ishin 1.7 miliardë lekë, me rritje 28% me bazë vjetore, pjesa më e madhe e të cilave vjen nga zinxhiri i supermarketeve.
Grupi Infosoft
Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total, një qarkullim vjetor prej rreth 27 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri në vitin 2023, me rritje vjetore 11%.
Aktiviteti i tij kryesor në Shqipëri përfshin “Infosoft System”, “Infosoft Office”, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, “Inter Distribution Service”, “Interbrands” dhe “Inter Trade & Distribution” (51% të aksioneve).
Fitimet e grupit ishin 1.7 miliardë lekë, me rritje 30% me bazë vjetore.
Union Financiar Grup
Union Financiar Grup është ndër grupet financiare më të mëdha me kapital vendas. Grupi përfshin “Union Bank”, “Union Financiar Tiranë”, “Landeslease”, “Paylink”. Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat e grupit ishin 6.7 miliardë lekë në vitin 2023, me zgjerim vjetor prej 17%, të udhëhequra nga rritja e “Union Bank”.
Kjo e fundit është më e madhja e grupit, me rreth 80% të të ardhurave në vitin 2023. Fitimet e grupit ishin 1.3 miliardë lekë në vitin 2023, ku sërish “Union Bank” ishte kontribuuesi kryesor.
Grupi EHW
Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafshtama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.
Në total, Grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese, raportoi një qarkullim vjetor prej 7.4 miliardë lekësh, pa ndryshim nga 2022. Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW.
Fitimet e grupit ishin gati 1.1 miliardë lekë, pothuajse njësoj me vitin e mëparshëm.
Edil Al Group
“Edil Al Group” është grupimi i disa kompanive në fusha të ndryshme me fokus në ndërtim, media, telekomunikacion. “Concord Investment” dhe “EDIL – AL – IT” janë dy shoqëritë kryesore të përqendruara në ndërtim.
Grupi është zgjeruar dhe në turizëm, nëpërmjet ndërtimit të kompleksit rezidencial “San Pietro” dhe një hoteli me 500 dhoma në Gjirin e Lalëzit, nën markën e njohur spanjolle “Melia”.
Grupi ka interesa dhe në programet televizive, nëpërmjet platformës me pagesë “Tring” dhe televizionit “Vizion Plus”. Të ardhurat e kompanive kryesore të grupit ishin 9.1 miliardë lekë në vitin 2023. Fitimet e grupit ishin 873 milionë lekë, me tkurrje rreth 10%.
Ulaj
Vëllezërit Ulaj janë ndër më të mëdhenjtë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, përmes kompanisë “Gener 2”.
Krahas ndërtimit, janë zhvilluar dhe aktivitetet e qendrave tregtare (Aba Business Center), qiradhënies, të cilat raportohet po si pjesë e aktivitetit të “Gener 2”. Grupi është zgjeruar dhe në energji, përmes hidrocentralit Dragobia, ndërsa ka investuar dhe në energjinë nëpërmjet diellit.
Prej disa vitesh, pjesë e grupit është dhe televizioni i lajmeve “A2”, partner ekskluziv i CNN. Të ardhurat e grupit ishin 10.6 miliardë lekë në 2023. Fitimet arritën në 626 milionë lekë në 2023, si rrjedhojë e rezultatit të “Gener 2” dhe “Dragobia”.
Gjonaj Group
Grupi ka një portofol në Telekomunikacion, Transferime të Procesit të Biznesit, Tregtim dhe Gjenerim të Qëndrueshëm të Energjisë dhe Ndërtim e Zhvillim të Pronës së Lartë.
Kompania kryesore e grupit është “Info Telecom”, me aktivitet në tranzitin e shërbimeve zanore, Transit, mesazhe dhe zgjidhje të personalizuara të menaxhimit të shërbimeve. Aktiviteti i dytë më i madh është tregtimi i energjisë, përmes “Ener Trade”, ndërsa grupi po investon dhe në energjinë diellore.
Të ardhurat e dy shoqërive kryesore ishin 28 miliardë lekë në vitin 2023, me rënie 60% me bazë vjetore, si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave të tregtimit të energjisë nga rënia e çmimeve. Edhe fitimet ranë në rreth 600 milionë lekë, si rrjedhojë e tkurrjes së rezultatit, si nga energjia, ashtu dhe telekomunikacionet.
// Monitor.al