Ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 4% në tremujorin e tretë të vitit 2024, sipas të dhënave të fundit nga INSTAT.
Megjithatë, krahas kësaj rritjeje, konsumi final i popullatës ka pësuar një rënie prej 2.3% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, duke krijuar një panoramë kontradiktore në aspektin e shpenzimeve të qytetarëve.
Analiza e treguesve ekonomikë tregon se tkurrja e importit dhe eksportit ka pasur ndikim të dukshëm. Ky fenomen lidhet edhe me sezonin turistik, ku turistët e huaj kanë zëvendësuar pjesërisht qytetarët shqiptarë, të cilët gjatë verës kanë kaluar pushimet jashtë vendit. Po ashtu, çmimet e larta gjatë sezonit turistik kanë ndikuar në uljen e shpenzimeve të popullatës.
INSTAT raporton deri në muajin shtator, por gjasat janë që edhe periudha e fundvitit të sjellë sinjale të ngjashme të uljes së konsumit, nisur edhe nga mesazhet që japin qytetarët për çmimet e rritura të produkteve.
Në muajin nëntor inflacioni u rrit, krahasuar me tetorin dhe parashikimet afatshkurtra të Bankës së Shqipërisë nxjerrin se qytetarët kanë më tepër prirje për kursim.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në uljen e konsumit është migrimi, i cili vazhdon të mbetet një fenomen dominues. Emigrimi i lartë ka kontribuar në uljen e shpenzimeve për konsum në vend.