Profesori i njohur i Shkencave Ekonomike, Selami Xhepa thotë se është e papranueshme që autoritetet mbikëqyrëse rregullatore në Shqipëri, lejojnë kompanitë e mikrokredive të bëjnë marketing agresiv, kur sipas tij informacionet nuk janë të vërteta.
Nisur nga ngjarjet e kohëve të fundit në Shqipëri, profesori thekson se autoritetet duhet të ndërhyjnë, ndërsa qytetarët duhet të tregohen më të kujdesshëm sepse asnjëherë nuk ka kredi/para pa interes.
"Po të shikoni, edhe reklama dhe marketingu, këtu ka nevojë për të ndërhyrë. Është e palejueshme që autoritete mbikëqyrëse rregullatore të lejojnë këtë lloj marketingu agresiv që shpesh herë është mashtrues. Do të thoja është mashtrues dhe nuk përmban informacione të vërteta.
Për shembull, kredi pa interes. Unë nuk di ndonjë para pa interes. Dëgjoj reklama që thonë blije tani se mund ta paguash vitin tjetër. Kjo lloj reklame krijon atë lloj nxitje që thamë, sepse njerëzit janë me nevoja, janë me ambicie, dëshira dhe duan të realizojnë sa më shumë në jetë.
Kjo është një sjellje normale në këndvështrimin njerëzor, por nëse ata kanë këtë lloj pritshmërie dhe nga ana tjetër dalin përballë institucioneve të tilla që i peshkojnë dhe i nxisin, atëherë kjo nxit sjelljen e papërgjegjshme.
Ky lloj rregullimi duhet bërë sigurisht për produktet financiare në mënyrë më të fuqishme, por unë mendoj dhe për produktet e tjera. Duhet që reklama dhe marketingu të jenë të përgjegjshëm dhe të kenë disa parime etike që të mos i shtynë njerëzit drejt mëkatit se i merr në qafë", është shprehur profesor Selami Xhepa në një podkast me gazetaren Esmeralda Topi.