Hapësire reklamuese

Ekonomi

29 mijë profesionistë të lirë mbajnë paratë në xhep, do i paguanin shtetit 75 miliardë lekë tatim

Shkruar nga Newsbomb
29 mijë profesionistë të lirë mbajnë paratë
Ilustrim: Gjykata Kushtetuese e Shqiperise

Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që ushtrojnë profesionin në vend, sipas të dhënave zyrtare. Mes tyre ka kontabilistë, ekspertë kontabël, avokatë, juristë, agjentë të pasurive të paluajtshme, dentistë, mjekë etj.

Ata janë të regjistruar kryesisht si biznese të vogla dhe të vetëpunësuar, dhe prej fundit të vitit të kaluar i janë nënshtruar tatimit njësoj si bizneset e vogla, duke u ngarkuar me pagesën e sigurimeve shoqërore e taksave lokale, ndërsa tatimfitimi ishte zero.

Në vitin 2023, të 29 mijë profesionistët e lirë kanë deklaruar gjithsej të ardhura prej 85 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga financat, ose rreth 810 milionë euro.

Të ardhurat që gjenerojnë profesionistët e lirë janë sa vetëm 2.5% e të ardhurave gjithsej të deklaruara nga bizneset në vend. (Në total, bizneset në vend qarkulluan në vitin 2022 rreth 3.3 trilionë lekë, ose rreth 32 miliardë euro, sipas Anketës Strukturore të INSTAT).

Fitimi neto i deklaruar nga 29 mijë profesionistët e lirë në vitin 2023 ishte 51 miliardë lekë, ose 490 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet të analizuara nga Monitor.al.

Fitimi i deklaruar nga profesionistët e lirë është në bazë të vetëdeklarimeve që kryhen në fund të vitit, pasi zbriten shpenzimet e vitit. Mesatarisht rezulton se një profesionist i lirë ka fitime, ose të ardhura neto që i mbeten pas zbritjes së shpenzimeve prej rreth 1400 euro në muaj (490 milionë euro/29 mijë profesionistë).

Nga 1 janari 2024 me hyrjen e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, profesionistët e lirë me të ardhura deri në 14 milionë lekë nisën të tatohen me 15% tatim mbi fitimin neto dhe mbi këtë shumë me 23%. Me zbatimin e kësaj norme të re, e ardhura neto e profesionistëve të lirë zbriste në më pak se 1200 euro/muaj.

Për vitin 2024, këstet e tatimit fitimit të thjeshtuar që u dolën bizneseve në sistem në prill, u llogaritën mbi vetëdeklarimet e fitimeve neto të vitit 2023. Profesionistët nuk arritën të zbresin as normën prej 30% të shpenzimeve që u njeh ligji, kur i kanë të ardhurat deri në 10 milionë lekë, për shkak se nuk u bë gati deklarata e re.

Në bazë të vetë deklarimit të fitimeve neto për vitin 2024, rezulton se 29 mijë profesionistët e lirë duhet të paguanin rreth 7.6 miliardë lekë (ose 75 milionë euro) tatim fitimi të thjeshtuar.

Kjo shumë është mëse dy herë më e lartë në krahasim me parashikimin fillestar prej 3.3 miliardë lekësh të publikuar në relacionin e projektbuxhetit 2024, pasi llogaritjet ishin bërë bazuar në deklarimet e vitit 2022.

Shuma prej 7.6 miliardë lekësh është sa 12% e tatimfitimit që është mbledhur në total në buxhet për vitin 2023 (sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatim fitimi në 2023 ishin 64.5 miliardë lekë), ose 1.2% e totalit të të ardhurave buxhetore (të ardhurat buxhetore ishin 643 miliardë lekë në 2023).

Shumë profesionistë të lirë i kanë paguar tashmë këstet e tyre dhe shfuqizimi i ligjit sot nga Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një ngërç të ri, pasi ata kërkojnë kompensimin ose kthimin pas të të gjitha pagesave që kanë bërë përgjatë vitit 2024.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese