Tirana
light rain
10.5 ° C
10.5 °
10.5 °
100 %
0.5kmh
100 %
Mar
11 °
Mër
18 °
Enj
18 °
Pre
19 °
Sht
19 °
E martë, 21 Mars, 2023

Edison Ypi: Fjalorth

Lajme të ngjashëm

Nga Edison Ypi 

Fjalorth

Patriotizëm, Teori dhe praktikë folklorike që të çrrënjos nga truri gjithçka serioze që ta ka rrënjosur edukata familjare dhe librat. Politikë, Sport popullor mbarëkombëtar me të cilin mund të merren të gjithë. Prej fanatikëve të kafeneve që u telefonojnë televizioneve në mëngjes për t’u bërë thirrje qeverive të botës t’u ndihmojë në krruarjen e bythës, deri te çdo bandit, hajdut, mafjoz, halabak, që i shkrep në mendje të bëhet deputet. Gazetë, Diçka që dihet se çfarë është, por përderisa del me humbje se nuk e blen askush, nuk dihet si dhe pse ekziston. Televizion privat, Barrakë e ngritur prej dikujt që ndërton grataçiela ku gatuhen habere të manipuluara për të shantazhuar qeverinë ti japi leje ndërtimi abuzive dhe favore e paligjshmëri të tjera që njeriu normal nuk është mirë ti dijë se luan mendsh. Militant politik, Shejtanbudalla i paskrupullt, fundërrinë shoqërore, plehër njerzore në pritje të kockës së ardhëshme që duke zënë hapësirën që normalisht i përket një idealisti të vërtetë e hedh partinë në greminë.

Hashash, Bimë medicinale kurative ose vdekjeprurëse kultivimi i të cilës s’dihet pse pengohet përderisa viktimat më të shumta i shkakton nëpër metropolet europiane, ndërsa me paret që mbeten këtu begatohet Shqipëria, janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen vila dhe plot mrekulli të tjera. Analist, Çdo trutharë që politikën e interpreton me të njëjtin fjalor dhe të njëjtën papërgjegjësi si ndeshjen e futbollit. Opinionist, Zagar i paguar për ta ndrruar pllakën sa herë nuhat erën e llokmës. Korrupsion, Sëmundje e pashërueshme e tokës arbnore që nga koha e Xhubletës. I korruptuar, Dikush që ka bindjen se s’ka arsye të mos jetë i tillë përderisa që nga koha e Xhamadanit është i rrethuar nga të ngjajshëm. Luftë, Sakrificë sublime e pakushtëzuar për të mirën e Atdheut. Por halli se ndodh gjithmonë larg. Në vende që nuk i gjen dot. As me Google Earth e as me GPS, atje ku nuk është e mundur të verifikohet nëse vërtet ka ndodhur. Ku, e shumta, gjen një lapidar me një mbishkrim që flet për sulmin fshehtas nga maja e malit të një çete ndaj një autokolone që po kalonte andejpari. Çeta iku.

Autokolona dogji katundin. Lufta është diçka që pasardhësit e pellazgëve nuk e kanë bërë kurrkund tjetër veçse në Kinostudion Shqipëria e Re. Roman, Qindra faqe të shkarrashkruara vetëm për të bërë një promuovim, për të përhapur një nam, për të marrë ca pare. Diplomat perëndimor në Tiranë, Nëpunës i emëruar në ambasadën përkatëse në Tiranë pakrahasimisht më i qytetëruar e i shkolluar se diplomatët tanë që janë copa mishi. Kur ndonjë qëndrim apo prononcim i fatkeqit në fjalë që mallkon ditën kur nuk e hodhën mes kanibalëve të Afrikës por mes shqiptarëve nuk pëlqehet, shqipua hakmerret ndaj ndaj tij në mënyrën më të vrazhdë, më të shëmtuar, më kontraproduktive. Artist, Gjithkush që thotë se era e blirit e deh, hëna e zhyt në mendime, tingujt e lahutës dhe lypsarët e rrugës e bëjnë ti ikin lot, dhe për këto e të tjera taksirate bën fajtor shtetin “që nuk e ndihmon”. Aktor, Gjithkush që përveçse ka luajtur ca role në skenë hiqet dhe orator, arkitekt, urbanist, antikorrupsionist. Shkrimtar, Çdokush që shkruan libra me rrena, historinë e katundit, jetën e xhaxhait që vdiq nga majasilli por ky e praqet sikur ra dëshmor në përpjekje titanike me gjermanët, kujtime nga luftra imagjinare, dhe ç’i thotë mendja e çkurdisur duke ikur rrugës.

Poezi, Fjalë magjike të thurura në vargje që i mësojnë përmendësh ca budallenj si puna ime. Poet, Një derdimen i pa talentuar mbetur ora te gazeta Drita rrotull të cilit nuk mungojnë kurrë ca hajvanë nga e njëjta rracë parazitësh që e ngrenë në qiell me komplimenta duke pirë birrë të ftohtë shoqëruar me salcë kosi. Prozë, Çkurdisje grafologjike nga gjithkush që e mban veten për të ndjeshëm dhe të ditur sepse kështu i tha një fallxhore në Mallakastër kur i pa llumin e filxhanit. Prozator, Grafoman i pashërueshëm që shkruan e shkruan pa u ndalur, teksti i të cilit ka vetinë të jetë i shkrueshëm, por jo i lexueshëm. Thikë, Send metalik prej çeliku të fortë dhe të mprehtë që vlen për tu prerë gurrmazin atyre që votën e blejnë. Hell, Hu’ i trashë druri me gunga dhe grremça që vlen për tua shkuar tejpërtej për ti pjekur javash-javash mbi prush ata që votën e shesin. Votim, Shpikja më e mrekullueshme e njerëzimit, rregullat e të cilës, shqiptarët, po ashtu ai pjesët e pushkës dhe kundragazit të zborrit nuk i mësuan kurrë. Zgjedhje lokale, Vënia në krye të punëve ariun e ngathët që, pa i pyetur, ha kosheret e mjaltit të bletëve gumëzhitëse. Zgjedhje parlamentare, Lojë e kushtueshme për të vënë të bëjnë ligje ata që janë të parët që nuk i zbatojnë. Fejsbuk, Vendi më i përshtatshëm për ta paraqitur veten ashtu si dëshiron të jesh, por nuk je Instagram, Hale me brisqe rroje, zorra uji, sapuna, legena, peshqira, ku bëhen selfie aq të përsosura sa mashkullit i heqin çdo kuriozitet për skutat dhe humnerat e thella të femrave që u kushton 1 milionë dollarë 1 qime pridhi.

Më shumë