Kryeministri Edi Rama, reagon për herë të parë për zhvillimet në veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut. Ai thotë se Autoritetet në Kosovë janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe, por duhet të jetë e palodhur në dialog me Serbinë.
“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG.
Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët”, shkruan Edi Rama.
Kujtojmë se, Lista Serbe të shtunën bëri të ditur se të gjithë përfaqësuesit e saj do të largohen nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit për targat. Ndërkohë, dje në Mitrovicë të Veriut u mblodhën qytetarë serbë, të cilët kërkuan tërheqjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit.
Edhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb në veri të vendit, kanë shkuar një nga një në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Me çanta me uniformat dhe armët e shërbimit, ata kanë dorëzuar zyrtarisht detyrën.