Pyetja e një gazetari amerikan që ka ardhur në Shqipëri në kuadër të vizitës zyrtare të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka vënë në vështirësi kryeministrin Edi Rama. Ajo lidhej me luftën mes Izraelit dhe terroristëve të Hamas në Gaza, dhe siç tha kryeministri ishte e vështirë për t'u trajtuar.
"Në 1988 Shqipëria ka njohur Palestinën dhe zyra e Benjamin Netanyahu (kryeministri i Izraelit) u shpreh sot më herët, që nuk është koha për të folur për dhurata për palestinezët, mendoni se është ende e mundur të kemi një zgjidhje me dy shtete me qeverinë aktuale izraelite?"
Kjo ishte pyetja e gazetarit amerikan, së cilës kryeministri Edi Rama ju përgjigj gjatë duke treguar dhe kontekstin e gjerë të kësaj njohje ndërkombëtare, më shumë se 35 vite më parë.
Lideri i qeverisë shqiptare tregoi se në 1988 Shqipëria ishte një vend komunist dhe regjimi i atëhershëm ishte kundër atyre që i quante armiq, duke nisur nga Amerika, Bashkimi Sovjetik dhe Izraeli, ndaj njohu pavarësinë e Palestinës.
Edi Rama: Në këndvështrimin tim modest, është aspekti më i vështirë politik për tu trajtuar dhe për t'ju përgjigjur pyetjes tuaj. Kohë më parë, Shqipëria ka njohur Palestinën dhe për t'ju dhënë pak kontekst: Shqipëria ka qenë diktaturë komuniste dhe diktatori ynë ishte një prej miqëve, aleatëve më të ngushtë të Organizatës për Shtetin e Palestinës dhe asaj të Arafatit.
Nga ana tjetër, regjimi ynë ishte kundër, shumë kundër tri djajve: SHBA, Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit. Me fjalë të tjera, imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik dhe pastaj judaizmit izraelit.
Por, nga ana tjetër ky është i vetmi vend në Europë që ka pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj. Dhe i vetmi vend ku hebrenjtë nuk u larguan por erdhën për t'u mbrojtur. Siç është e shfaqur kaq qartë në Yad Vashem (memoriali për viktimat e Holokaustit), është një vend ku nazistët nuk ja dolën të kapnin apo t'ju dorëzohej asnjë hebre. Ky është konteksti.
Tani, sigurisht situata është tragjike sepse nga njëra ana Izraeli ka të drejtën e vetë legjitime për t'u vetëmbrojtur, por nga ana tjetër shkatërrimi dhe humbja e jetës nga ana e palestinezëve janë shumë më tepër. Janë shumë më shumë sesa mund të pranohet një përshkallëzim i mëtejshëm.
E vetmja rrugë është zgjidhja me dy shtete, por në mendimin tim modest në këto situata ka shumë gjëra që duhet të ndodhin në të njëjtën kohë, jo vetëm një. Sepse nëse ne parashikojmë në një të vetme këtë zgjidhje me dy shtete, si e vetmja gjë, atëherë kush do të jetë nga ana e palestinezëve.
Reformimi i politikës palestineze dhe nevoja për një organizëm që do të përfaqësonte të gjithë shoqërinë palestineze e do të ishte një bashkëbiseduese e besueshme për të gjitha palët e përfshira nga njëra anë dhe nga ana tjetër, përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve arabe që janë më të interesuara për të krijuar një forcë të përbashkët, që së bashku me Turqinë dhe disa garanci nga SHBA, do të sigurohet që ai që mund të jetë shtet palestinez nuk do të shihet si kërcënim për Izraelin. Sigurisht, të gjitha këto pa lirimin e pengjeve tingëllojnë krejt të pagjasa.
*Pyetjen e gazetarit dhe pergjigjen e Edi Rames mund ta degjoni ne minutat e fundit te konferences:
Lexo edhe: Reforma në drejtësi, Blinken: Anëtarë të krimit janë duke përfunduar në gjyq
Lexo edhe: Pse nuk u takuat me opozitën? Ja si përgjigjet Antony Blinken
Lexo edhe: Blinken jep lajmin: Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë
© Newsbomb.al