Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të shtunë në kryeqendrën e veriut të gjithë kryebashkiakët socialistë dhe ministrat e kabinetit të tij. Gjatë takimit në Shkodër, do të analizohet puna e bërë në terren nga mbledhja e fundit.
Ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryebashkiakët socialistë do të ballafaqohen për punën e bërë deri tani, pas Asamblesë Kombëtare ku u lanë objektiva për rienergjizimin e partisë politike që drejton vendin.
Takimi do të mbahet vetëm për një ditë, teksa javën e ardhshme do të rimblidhet në Durrës në datë 16 mars, Asambleja Kombëtare e PS.
Deri më 15 prill do të zhvillohet procesi për zgjedhje brenda PS, ndërsa pas kësaj date do të zgjidhen delegatët e Kongresit me "një anëtar një votë". Plani i veprimit i Partisë Socialiste për vitin 2024 do të finalizohet me mbledhjen e Kongresit të Partisë Socialiste në muajin qershor.