Hapësire reklamuese

Politikë

Edi Rama jep lajmin: Po punojmë me NATO dhe për bazën ushtarake detare në Durrës!

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama jep lajmin: Po punojmë me NATO dhe për bazën ushtarake
Kryeministri Edi Rama ka falenderuar fqinjët dhe aleatët e NATO-s për investimin dhe bërjen realitet të hapjes së bazës ajrore taktike të Aleancës në Kuçovë. Ai ka zbuluar se ministri i Mbrojtjes i Italisë ka ardhur sot i shoqëruar nga disa avionë luftarakë. Nuk dihet nëse ata do të vendosën në bazë, duke qenë se ajo i përket Aleancës Ushtarake të NATO-s dhe është ndër kontribuuesit kryesor, apo do të rikthehen sërish në vendin fqinj bashkë me avionin e ministrit. "Ministri i Mbrojtjes i Italisë, ka ardhur dhe me disa avionë luftarakë me vete. Edhe miqtë e paçmuar turq, që për tre dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze, e cila është e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë", u shpreh Rama. Më tej, kryeministri shqiptar theksoi dhe njëherë kërcënimin rus për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të trazuar rajonin. Edi Rama ka zbuluar gjatë fjalës së tij se premtimi dhe projekti për bazën detare të NATO-s në zonën e Porto Romanos në Durrës nuk është harruar, pasi Shqipëria po punon intensivisht me aleatët e Aleancës dhe shumë shpejt mund të ketë dhe rezultate pozitive. "Dua t'u shpreh një falenderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan, duke filluar nga aleatët tanë të NATO-s, me shpresën e besimin që kjo bazë e re do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi besimplotë se shumë shpejt do t'i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës", vijoi kryeministri.

Fjala e kryeministrit Edi Rama nga Baza e Kuçovës:

U hap sot Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë, me infrastrukturë moderne për flotën shqiptare të helikopterëve e dronëve të armatosur dhe avionët luftarakë të Aleancës, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve shqiptarë, ndërkohë që i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike. Si baza më e madhe e NATO-s në rajon, kjo infrastrukturë e rëndësishme,  jo vetëm që rrit profilin e Shqipërisë  në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin e vendit për paqe dhe siguri në rajon, duke u kthyer në një aset të vyer të Aleancës. Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e inaugurimit të Bazës Ajrore së bashku me personalitetet politike më të larta të vendit, drejtues të strukturave dhe ushtarakë të lartë të vendeve partnere të Aleancës, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, etj. * * * Duke parë një pjesë të të pranishmëve që janë këtu, si përfaqësues të një gjenerate tjetër, e cila përjetoi të gjitha zhvillimet e përpara ndryshimeve demokratike, po referohem një fragmenti të gazetës “Zëri i Popullit”, në maj të vitit 1954 kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe gazeta shkruante se, të vdekurit po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur më herët pikërisht për të pritur shokun Hrushov. Është i rëndësishëm ky referim sepse në atë kohë Shqipëria, me këtë bazë që rihapim sot, konsiderohej si një avant-post strategjik i Perandorisë Sovjetike përballë Europës Perëndimore dhe këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit, lufta do të niste me bombardimin e Vienës, Sttutgartit, Mynihut, Nurenbergut, dy bazave të NATO-s në Danimarkë, tre bazave italianë në Padova, Verona dhe Vicenza dhe pjesë e këtij operacioni do të ishin dhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës. Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me krenari dhe me respekt aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë, e cila është në radhë të parë, një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë. Unë jam posaçërisht i lumtur sot që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë, aleatë, të cilët do të doja të falënderoja, në mënyrë të posaçme ministrin e Mbrojtjes së Italisë, i cili ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër, do doja të falënderoj miqtë dhe aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët për thuajse tre dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze, e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë. Nga ana tjetër, e fundit, por jo për nga rëndësia, dua të falënderoj të gjithë banorët e zonës së Kuçovës, të Tapisë, të Dimalit edhe të Beratit e më gjerë për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze. Uroj shumë që baza taktike e NATO-s të sjellë për ta mundësi të reja punësimi si edhe mundësi të reja për të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale. E fundit, por aspak për nga rëndësia, dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e aleancës. Falenderim të posaçëm dhe një urim për shëndet e për gjithçka u do zemra të gjitha Forcave tona të Armatosura, të gjitha trupave dhe individëve që militojnë në këto forca dhe që dita-ditës e bëjnë Shqipërinë më krenare për to dhe janë një arsye më shumë që ne të ndjehemi më krenarë për Shqipërinë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese