
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të hënë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, ku sipas asaj që raportohet se ka rrjedhur në media, ka artikuluar për herë të parë dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, shkruan newsbomb.al.
I pari i socialistëve u ka kërkuar të vetëve që të angazhohen më shumë në seancat plenare në Kuvend dhe në komisionet parlamentare.
Një kritikë e Edi Ramës ka qenë dhe për praninë e deputetëve në mbledhjen e kësaj të hëne. “Ju duhet të kishit 1 orë përpara këtu”, u ka thënë ai deputetëve, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qenë të pranishëm.
Pas kritikave në mbledhjen me dyer të mbyllura, Edi Rama i ka ballafaqur deputetët e Partisë Socialiste me mundësinë për t'i çuar ata në zgjedhje të parakohshme. “A doni t’ju çoj në zgjedhje te parakohshme?!",- mësohet të ketë thënë kryeministri.
Lexo edhe: Socialistët mbledhin Grupin Parlamentar, të enjten votohet marrëveshja me Italinë
Kjo është hera e parë që vetë kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste artikulon këtë tezë, të paktën me aq sa ka rrjedhur në media nga mbledhja e Grupit Parlamentar. Ndërkohë, në opinionin publik kjo është folur prej kohësh.
Një ndër shkaqet kryesore ka qenë korrupsioni në administratë e qeverisje dhe goditjet e Prokurorisë së Posaçme deri në rang deputetësh, ministrash e deri të ish-zv.kryeministri, shkruan newsbomb.al.