Kryeministri Edi Rama ka gjetur mbështetje në Izrael, ku ndodhet në një vizitë zyrtare, për të fuqizuar mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë. Ai ka ndarë në llogarinë e tij një foto me drejtuesin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit.
“Me drejtuesin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit, e cila do të jetë partneri ynë strategjik në fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike”, shkruan Edi Rama.
Vizita në Izrael nuk është rastësore, pasi ky shtet është sulmuar ashtu si Shqipëria nga një prej grupeve të hakerave që goditën shërbimet qeveritare në korrik 2022 dhe më pas sistemet e Policisë së Shtetit në shtator.
Dje, mediat izraelite shkruajtën se Rama po e viziton Izraelin për të forcuar mbrojtjen kibernetike të vendit të tij, pas një sërë sulmesh nga Irani që çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin.
Po sipas të njëjtave raportime, Edi Rama kërkon gjithashtu të çojë përpara një samit të kryeministrave ballkanikë në Izrael, për të forcuar lidhjet e tyre me shtetin hebre në fushat e energjisë, bujqësisë, kibernetikës etj.
Biznesmeni izraelito-kazak Alexander Machkevitch, i cili drejton një nga kompanitë më të mëdha në botë të minierave dhe prodhimit të lëndëve të para, Euroasian Resources Group, ishte i përfshirë në koordinimin e vizitës së Ramës në shtetin hebre.