
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama, nga Kryeministria:
Është një nga ditët më të shënuara të qeverisë time. Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se në harkun e një viti në Shqipëri, do të shkojë 563 euro që është sot, në 900 euro. Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra, për të ardhur ditën që ta krijojmë këtë mundësi për shtëpinë tonë të përbashkët. Është shumë e rëndësishme për ne që të konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, pavarësisht goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë në vazhdën e disa sfidave rresht. Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa t'ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore, se paga e tyre do të shkojë nga 49,000 lek në 81,000 lekë. Apo t'ju them mësuesve në arsimin e mesëm së paga e tyre do shkojë mbi 1 milion lek, pra mbi 100 mijë lekë. Apo në arsimin bazë nga 74 mijë deri në 95 mijë, pastaj vjetërsitë e punës, kohëzgjatja, kualifikimet. Është koha t'ju bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve, me 20%, duke ju dhënë diskrecion që ata të mund të shkojnë në 30% sepse janë autonom në administrimin e buxheteve të tyre. Po kështu, është kënaqësi që t'ju them infermierëve që do kapin një bazë prej 87 mijë lekësh. Kemi rritur ndjeshëm pagat për Forcat e Armatosura, do vazhdojmë t'i rrisim. Kemi rritur pagat për gjithë sistemin e sigurisë, do vazhdojmë t'i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrfikësit, dhe siç e pata premtuar, pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lekë. E gjitha kjo do bëhet me dy hapa. Një hap i parë i menjëhershëm do jetë tani me mësuesit, me sigurinë dhe me mjekët e infermierët. Ky hap i parë për gjithë të tjerët do jetë pasi Parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam. Pastaj hapi i dytë do jetë prillin e ardhshëm, që do bëjmë të gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash në Shqipëri dhe do të mbërrimë kryelartë 900 euro pagë mesatare.Sondazh
Poll