Hapësire reklamuese

Politikë

Edi Rama dhe Mark Rutte i Holandës, prezantojnë më 6 tetor projektin e Komunitetit të Ri Politik Europian, para gjithë vendeve të BE

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama dhe Mark Rutte i Holandës, prezantojnë më 6 tetor

Kryeministrat Edi Rama dhe Mark Rutte, do të prezantojnë më datë 6 tetor një projekt të përbashkët Pragë, i quajtur Komuniteti i Ri Politik Europian. Nisma është punë e përbashkët e Ramës dhe kryeministrit të Holandës dhe do t'u perzantohet gjithë vendeve të BE, por jo vetëm.

"Dua ta mbyll me një koment mbi një nismë, e cila deri pak vite më parë do ishte totalisht e paimagjinueshme, një nismë të përbashkët të Shqipërisë dhe Holandës apo Holandës dhe Shqipërisë, si të doni, për të angazhuar bashkësinë europiane në një drejtim ku ne synojmë një konkretizimin sa më real të vizionit dhe projektit të ri të Komunitetit të Ri Politik Europian.

Brenda pak ditësh, në datën 6, të gjithë liderët e kësaj gjeografie, që përfshin vendet e Bashkimit Europian, vendet e Ballkanit. Vende që janë shumë të zhvilluara, por që nuk janë në Bashkimin Europian si Zvicra e Norvegjia, e kështu ne radhë, do të mblidhen në Pragë për të diskutuar jetësimin e idesë së një Komuniteti të Ri Politik Europian", është shprehur Rama.

Kryeministri shqiptar e ka bërë këtë deklaratë gjatë Kongresit të Dytë Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë, i cili është mbajtur sot në Tiranë. Edi Rama e zbulon për herë të parë këtë projekt të tijin dhe homologut Rutte.

"Së bashku me kryeministrin Rutte kemi shkruar një editorial që do të publikohet nesër në Politiko mbi disa nga drejtimet që ne besojmë janë shumë të rëndësishme për këtë Komunitet të Ri Politik Europian dhe ku, nga ana jonë si Shqipëri, ne kemi vënë theksin, ndër të tjera, tek të rinjtë dhe tek universiteti, bota universitare europiane, tek domosdoshmëria që të rinjtë tanë dhe që universitetet tona, që janë jashtë rrjetit të universiteteve europiane të Bashkimit Europian, të kenë mundësinë e një aksesi të barabartë", vijoi Rama.

Sipas tij, projekti i Komunitetit të Ri Politik Europian do t’i jepte një hov shumë të konsiderueshëm procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, duke iu dhënë mundësi nxënësve që mbarojnë gjimnazet në Shqipëri, që të mos kenë nevojë domosdoshmërisht të largohen për të studiuar në një universitet prestigjioz në Spanjë apo në Holandë.

Studentët do të kenë mundësinë që duke hyrë në një universitet apo fakultet vendas të kenë programin dhe në fund diplomën e barasvlershme me atë të një universiteti europian të Spanjës, Holandës, Francës, Gjermanisë e kështu me radhë.

"Natyrisht që ky do të jetë një proces, natyrisht që do të kërkojë kohën e vet, por për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shtyjmë në këtë drejtim, sepse nuk ka asnjë diskutim, që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të persë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi.

Nëse kjo do të përqafohet edhe nga vendet e tjera dhe nëse kjo do kthehet në një politike të re të BE do të jetë një arritje  e jashtëzakonshme, një lehtësim i jashtëzakonshëm për të gjithë, për të gjithë ato familje që investojnë shumë nga kursimet apo nga financat e tyre për t’i shkolluar fëmijët në universitete jashtë vendit", është shprehur Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu