Hapësire reklamuese

Politikë

Edi Rama dhe Ben Blushi përplasen sot në Korçë, pse po shkojnë dhe kë do takojnë

Shkruar nga Newsbomb

Edi Rama dhe Ben Blushi përplasen sot në Korçë. Të dy kundërshtarët brenda Partisë Socialiste do të jenë në qytetin Juglindor në takim me anëtarë e simpatizantë të partisë. Por, jo të dy do të jenë në të njëjtin mjedis. Deputeti kritik i Partisë Socialiste, Ben Blushi kishte lajmëruar disa ditë më parë se sot do të zhvillojë një takim me mbështetësit e tij në qytetin e Korçës për në ora 17:00 në mjediset e Kinema Millenium. Ndërkaq, edhe kryeministri dhe njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama do të jetë po sot, në një takim me anëtarësinë e PS-së, në një tjetër takim, por një orë më herët, në orën 16:00 dhe në një tjetër mjedis, në ambjentet e Pallatit të Sportit.

Konfirmimi vjen edhe nga deputeti socialist i qarkut të Korçës, Ilir Pendavinji, për Gazeta Shqiptare.

Ben Blushi ka shpërndarë prej ditësh ftesën për simpatizantët e tij në qytetin Juglindor, ku lajmëronte vendin dhe orën e bisedës me ta. Por vetëm dje u mësua se edhe Rama do të shkojë po sot në Korçë. Temë e bashkëbisedimit të Blushit me përfaqësuesit e strukturave lokale të PS-së të qytetit Juglindor mësohet të jenë pikërisht kritikat që ai ka shprehur në publik për shkeljen e statutit të PS-së nga kryeministri, Edi Rama si dhe për nevojën e lejimit të garës për kreun e partisë. Korça është stacion i dytë i Blushit në këtë fushatë të tij për kryetar të PS-së, pas Kukësit, ku në fakt ai ishte për të promovuar edhe librin e tij, por jo vetëm.

Ben Blushi pritet të ndajë në takimin e tij të sotëm në Korçë edhe pikat kryesore të platformës së tij për kryetar të PS-së. Deputeti socialist është shprehur se nëse do të lejohet që të shpalosë platformën e tij në Kongresin e 19 Marsit se si mund të drejtohet më mirë PS-së ai do të kërkojë dekriminalizim të partisë, të financave të saj, kufizim të hyrjes së biznesmenëve të mëdhenj, referendum për çështje madhore, etj. Ky pritet të jetë një nga takimet nga të mëdha që Blushi zhvillon me anëtarësinë e PS-së qysh kur ai shpalli hapur ambicien e tij për kryetar të partisë. Ndërsa kryetari i PS-së Edi Rama, ashtu siç ka bërë edhe në rrethe të tjera edhe në këtë takim pritet të shpërndajë tesera të reja të anëtarëve më të rinj të PS-së. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu