Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, mbështet vëzhguesit ndërkombëtarë të vettingut, duke u shprehur pas mbështetjes që Amerika i dha ONM-së. Ky reagim i BE vjen pas ankimimit të vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të Kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj.
“Ne e mbështesim plotësisht rekomandimin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë për apelim. Ne shpresojmë që Dhoma e Posaçme e Apelimit të shqyrtojë çështjen me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çështjet e rëndësishme të theksuara në rekomandimin për apelim të konsiderohen siç duhet”, shkruan ambasadori Luigi Soreca.
Po ashtu, edhe zyra e OSBE ka reaguar duke ndarë ankimimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).
“Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (IMO) dhe organet e tij përbërëse, Qeveria e SHBA dhe Komisioni Europian, mbështesin plotësisht rekomandimin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë për Komisionerët Publikë për të apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.”