Leze Qosja, një 37 vjeçare nga Tropoja por banuese në Dobraç të Shkodrës, është gjetur e pajetë pasditen e djeshme. Dy javë më parë motra e saj kishte bërë kallëzim në Polici, për shkak se Lezja kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
Trupi i saj është gjetur pjesërisht i dekompozuar dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes, shkruan newsbomb.al. Gjithashtu e reja kishte dhe shenja dhune në trup, po nuk dihet nëse vdekja ka ardhur prej tyre apo nga shkaqe të tjera.
Ka qenë një banor i zonës që ka njoftuar Policinë për trupin e pajetë që u gjet në një livadhe pranë bypassit. Telefonata e tij ka vënë menjëherë në lëvizje Blutë e Shkodrës, të cilët e kërkonin Leze Qosen prej më shumë se 10 ditësh.
Nga verifikimet e para në terren, u mësua se viktima ishte pikërisht vajza që ishte denoncuar e humbur nga motra e saj dhe në trup kishte shenja dhune. Zona e livadheve në Shkodër përdoret shpesh për vrasje mafioze, ose për djegien e makinave pas ngjarjeve të caktuara.
Dyshimet janë se trupi i 37 vjeçares nuk ka më shumë se një javë në zonën e livadheve, ndaj Prokuroria dhe Policia po hetojnë se ku ka qenë Leze Qosja më herët, pasi denoncimi për zhdukjen e saj është bërë që më datë 18 maj.
Motra e 37-vjeçares ka deklaruar se shtetasja Leze Qosa vuante nga depresioni, gjë e cila mund ta ketë nxitur për t’u larguar nga banesa në mënyrë të pakuptimtë, për të mos u kthyer më.