Një pasagjer shqiptar ka ndërruar jetë ditën e sotme në bordin e tragetit “Claudia” që ishte nisur nga qyteti i Ankonës në Itali.
Trageti duhet të mbërrinte si gjithmonë, rreth orës 08:00 në vendin tonë, por sot ka mbërritur rreth orës 13:30 për shkak të ngjarjes së rëndë.
Neësbomb Albania mëson se një shofer shqiptar i moshës 44-vjeçare që merrej me transport, ka pësuar atak kardiak teksa trageti ndodhej në ujërat italiane.
Për këtë arsye, kapiteni e ka ndaluar tragetin në mes të detit, deri sa ka mbërritur helikopteri italian i ndihmës së shpejtë. Por fatkeqësisht, pavarësisht transportimit me urgjencë në spital, shqiptari humbi jetën.
E ndërsa është ankoruar në port, kapiteni italian i ka rënë sirenës në shenjë respekti për të ndjerin.