Doktoresha dhe pedagogia e njohur Sonela Xinxo (Kavaja) është ndarë parakohe nga jeta mbrëmjen e së premtes. Lajmin e trishtë e bën me dije familja, miqtë dhe Instituti i Shëndetit Publik ku ajo punoi për disa vite.
"Pas nje semundje te rende, u nda nga jeta ne moshen 49 vjecare, motra ime e dashur dr Sonela Kavaja Xinxo! U prehsh ne paqe moter", ka shkruar doktor Genti Kavaja.
Newsbomb.al mëson se doktoresha vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën fatkeqësisht e ka humbur duke u ndarë parakohe nga jeta.
Ajo vinte nga një familje e nderuar në zonën e Beratit, vajza e dy prindërve inxhinier e mësues. Sonela Kavaja lindi dhe u rrit në Berat, për të ndjekur më pas studimet në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ku spikati dhe u bë një mjeke e nderuar.
Doktoresha ndoqi disa specializime jashtë vendit dhe u perfeksionua si shkencëtare. Sonela Kavaja Xinxo punoi në ISHP për periudhën 2003-2017, në fushën e parandalimit dhe kontrollit të Sëmundjeve Jo të Transmetueshme, duke kontribuar në hartimin e regjistrit të Sëmundjeve të Zemrës si dhe të shumë dokumenteve të politikave shëndetësore.
Ikja e saj e parakohshme nga jeta ka lënë në zi familjen, të afërmit dhe kolegët e miqtë e shumtë që kishte. Do t'i mungojë bashkëshortit dhe vajzës, familjeve Kavaja e Xinxo dhe padyshim shëndetësisë shqiptare, për të cilën kontribonte prej vitesh.
Doktoreshë Sonela Kavaja ju përkushtua për disa vite edhe mësimdhënies si pedagoge në Universitetin e Mjekësisë. Ajo ishte motra e inxhinierit Piro Kavaja dhe doktor Gentit, me të cilin ndanin dhe të njëjtin profesion.