Emisioni Fiks Fare solli sonte një ngjarje të rëndë që i ka ndodhur grupit të xhirimit të këtij emisioni gjatë filmimeve për gërryerjet e paligjshme në lumin Zezë në Nikël të Krujës.
Pasi është faktuar gërryerja e paligjshme e lumit dhe marrja e materialeve inerte, gazetarët si fillim janë përballur me persona me armë të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ Fiks Fare. Ata duke drejtuar armët qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit,të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin.
Por jo vetëm aq, ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte që dilnin nga lumi dhe prisnin ardhjen e policisë pas telefonatës që kishin bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Krujë, drejtë gazetarëve shkuan dy personat e parë të cilët urdhëruan gazetarët të ikin nga aty, sepse lumi është i tyre. Është në pronë të tyre.
[gallery ids="671014,671015,671016,671017,671018,671019"]
Pas tyre drejt gazetarëve vjen një person i maskuar, i cili tenton të marrë kamerën me xhirimet e bëra. Godet pjesëtar të grupit të xhirimit dhe i kërcënon ata me jetë. Kjo skenë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, derisa në fund gazetarët arrijnë të largohen nga vendngjarja.
Dhe vetëm pasi janë larguar nga zona, kanë hasur patrullën e policisë, e cila është takuar me grupin e xhirimit 50 minuta nga telefonata, shumë larg vendit të ngjarjes.
Me një kërkesë të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës pas largimit nga vendi i ngjarjes, janë vënë në dispozicion të gjitha materialet bruto të xhiruara në terren./ Fiks Fare